Uran Ismaili dorëzon mandatin e deputetit: Dua t’i përkushtohem Prishtinës

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Uran Ismaili ka dhënë dorëheqje nga mandati i deputetit të Republikës së Kosovës.

Në fjalimin e tij, Ismaili tha se tani vullneti dhe dëshira e tij janë që t’i përkushtohet tërësisht Prishtinës, si kandidat për kryetar.

“Vendimin e kam marrë që t’i përkushtohem plotësisht qytetit tonë- Prishtinës – dhe do të jap gjithçka që kam për këtë qëllim”, ka thënë Ismaili.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare, Uran Ismaili ishte më i votuari nga radhët e PDK-së dhe ndër më të votuarit në Kosovë, me rreth 27 mijë vota.

Lexoni fjalimin e tij të plotë:

Sot dhashë dorëheqjen time nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Dua të falënderoj të gjithë qytetarët që më votuan dhe më dhanë nderin dhe privilegjin për t’i përfaqësuar në Kuvend.

Ky funksion, megjithatë, besoj se është i papajtueshëm me qëllimin tim për t’u bërë Kryetari i ardhshëm i Prishtinës.

Si Kryetar i Prishtinës, detyra ime do të jetë t’u shërbej të gjithë qytetarëve;

Të BASHKOJ të gjithë qytetarët në rregullimin e problemeve të jetës sonë të përditshme.

Të punojmë në mënyrë që ta bëjmë Prishtinën një vend më të mirë për të GJITHË.

Dhe kur them PËR TË GJITHË, e kam fjalën PËR TË GJITHË.

Kuvendi për nga natyra e tij është konfrontues dhe ngjyrat e partive politike dinë të jenë përçarëse.

Kjo nuk është e dobishme për qytetin tonë dhe për komunitetin tonë.

Një kryetar i mirë nuk qeverisë në bazë të ngjyrave partiake. Dhe unë e kam ndërmend të jem një kryetar i mirë.

Vendimin e kam marrë që t’i përkushtohem plotësisht qytetit tonë Prishtinës dhe do të jap gjithçka që kam për këtë qëllim.

Edhe  kjo që po e bëj sot, është se unë po tërhiqem një hap prapa nga politika e përditshme  sepse kam besim se me mbështetjen e bashkëqytetarëve të mi të Prishtinës, më 17 tetor, ne do të nisim shndërrimin e Prishtinës në një qytet të pastër, të gjelbër e të sigurt.

Në një qytet digjital modern.

Në një qytet miqësor për qytetarët e tij, dhe në një destinacion atraktiv për vizitorët e tij.

E në këtë qëllim, Prishtina na bashkon të gjithëve.

FALEMINDERIT