Ura mbi Ibër është stabile, e qëndrueshme dhe funksionale, tregon testi

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka njoftuar se ka pranuar raportin për stabilitetin e urës së Ibrit dhe ka thënë se ka rezultuar që ura është “stabile, e qëndrueshme dhe funksionale”.

Durmishi ka theksuar se raporti konludon qartë se struktura e urës mbi lumin Ibër është stabile dhe funksionale dhe si e tillë mund të përdoret për shfrytëzim pa asnjë kufizim në ngarkesë.

“Ura mbi lumin Ibër është stabile, e qëndrueshme dhe funksionale. Sapo kemi pranuar raportin nga testimi i kapacitetit të mbajtjes së strukturës së urës ekzistuese mbi lumin Ibër. Raporti konludon qartë se struktura e urës mbi lumin Ibër është stabile dhe funksionale dhe si e tillë mund të përdoret për shfrytëzim pa asnjë kufizim në ngarkesë”, ka thënë Durmishi.

Ai ka thënë se do pritet edhe raporti final për të pasur rezultatet përfundimtare sa i përket aspektit teknik.

“Raporti që kemi pranuar sot është preliminar dhe pas të cilit do të presim edhe atë final për të pasur edhe rezultatet përfundimtare mbi funksionalitetin e urës së Ibrit sa i përket aspektit teknik”, ka vijuar ai.

Ministria e Infrastrukturës para disa ditësh dha një tender për testimin e Urës për lëvizjen e mjeteve mbi të. Kompania “IPE-PROING” ishte përzgjedhur fituese e tenderit me titull “Përcaktimi i kapacitetit mbajtës të strukturës së urës ekzistuese mbi lumin Ibër në Mitrovicë, me ngarkesa testuese”. Vlera e tenderit ishte 9 mijë e 640 euro.

Ndërkohë qe disa ditë, një kompani tjetër është duke lyer poshtë dhe pjesë mbi urë.

Hapja e urës është kundërshtuar nga ShBA-ja dhe Bashkimi Evropian. Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, përsëriti edhe sot se ua kanë bërë të ditur autoriteteve të Kosovës, se hapja tani e urës për qarkullim të automjeteve do të rrisë rrezikun për ushtarët.

Misioni i KFOR-it mban një prani të përhershme në urë dhe vazhdon të kryejë patrullime të rregullta në zonat përreth, sikur thekson për të garantuar stabilitet dhe siguri, për të mirën e të gjitha komuniteteve lokale. 

“Ne nuk do të hezitojmë të trajtojmë çdo zhvillim që mund të ndikojë në mjedisin e sigurisë dhe stabilitetin rajonal, në respekt të plotë me mandatin tonë të OKB-së”, ka deklaruar KFOR.