Ukraina paralajmëron: Bjellorusia mund t’i bashkohet pushtimit rus sonte

Qendra shtetërore e Ukrainës për Komunikime Strategjike ka paralajmëruar se nuk mund të përjashtojë mundësinë që Bjellorusia mund t’i bashkohet pushtimit rus në orët e ardhshme.

Paralajmërimi vjen pas një takimi midis presidentit rus Vladimir Putin dhe liderit bjellorus Alexander Lukashenko në Moskë dhe zyrtarët ukrainas paralajmëruan se trupat bjelloruse mund të urdhërohen të kalojnë kufirin të premten mbrëma.

“Sipas të dhënave paraprake, trupat bjelloruse mund të nisin pushtimin më 11 mars në orën 21:00“, ka thënë në një deklaratë qendra, e cila u krijua nën Ministrinë e Kulturës dhe Politikës së Informacionit.

Zyrtarët pretenduan se Putini mund të urdhëronte që bombarduesit rusë të niseshin nga territori ukrainas për të bombarduar objektivat në Bjellorusi, duke i dhënë Lukashenkos një pretekst për të nisur një pushtim.

Paralajmërimi vjen pas raporteve se bombarduesit rusë filluan një sulm në një fshat jugor të Bjellorusisë të premten pasdite.

Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Oleksiy Reznikov, ka thënë se sulmi ishte një përpjekje për të “detyruar udhëheqjen aktuale të Bjellorusisë në luftë kundër Ukrainës”.