Garancitë e sigurisë dhe një armëpushim i organizuar për të zgjidhur problemet humanitare janë temat që po diskutohen në bisedimet e mbajtura në Turqi ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë, tha një këshilltar i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.
“Konsultimet intensive po vazhdojnë tani për disa çështje të rëndësishme, por më e rëndësishmja është marrëveshja për garancitë ndërkombëtare të sigurisë për Ukrainën, sepse me këtë marrëveshje ne do të jemi në gjendje t’i japim fund luftës, ashtu siç ka nevojë Ukraina”, tha Mykhailo Podolyak gjatë një adresimi televiziv.
“Çështja e dytë është armëpushimi që të zgjidhen të gjitha problemet humanitare që janë mbledhur”, shtoi ai.
Këshilltari i Presidencës ukrainase, Podolyak tha se një tjetër problem ishte “përshkallëzimi i luftës” përfshirë edhe ato që ai i quajti “shkelje të rregullave të luftës”, pa dhënë detaje.
Delegacionet e Ukrainës dhe Rusisë kanë nisur rundin e ri të bisedimeve, që po mbahen në Stamboll të Turqisë.
Para nisjes së bisedimeve, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se bisedimet kanë hyrë në një fazë që ka nevojë për arritjen e rezultateve konkrete. Ai tha se shteti i tij do të kontribuojë që palët të arrijnë armëpushim dhe paqe.
Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Që atëherë, palët kanë mbajtur një sërë bisedimesh të paqes, por nuk janë arritur rezultate konkrete.