Forcat ukrainase kanë përfunduar “misionin e tyre luftarak” në qytetin e rrethuar të Mariupolit, sipas një deklarate nga ushtria ukrainase.
Komandantët e njësive të vendosura në fabrikën masive të çelikut “Azovstal” janë urdhëruar “të shpëtojnë jetën e personelit të tyre”, thuhet në deklaratën e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës, raportoi CNN-i të martën.
Qindra njerëz u evakuuan të hënën nga fabrika e çelikut, streha e fundit në një qytet që ishte bërë simbol i rezistencës ukrainase nën bombardimet e pamëshirshme ruse.
Zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Malyar, e përshkroi operacionin e evakuimit në një deklaratë të veçantë, duke vënë në dukje se disa forca ukrainase mbeten në Azovstal.
“Pesëdhjetë e tre persona të plagosur rëndë u evakuuan nga Azovstali në një institucion mjekësor në Novoazovsk për kujdes mjekësor, 211 persona të tjerë u dërguan në Olenivka përmes korridorit humanitar”, tha ajo.
Ndërkohë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky falënderoi ushtrinë dhe negociatorët ukrainas.
“Ukraina ka nevojë për heronjtë ukrainas të gjallë. Dita e 82-të e mbrojtjes sonë po përfundon. Një ditë e vështirë. Por kjo ditë, si gjithë të tjerat, synon pikërisht shpëtimin e vendit dhe popullit tonë”, tha Zelensky.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë më herët se ishte vendosur një armëpushim për të lejuar kalimin e ushtarakëve të plagosur ukrainas, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve RIA Novosti.