Portieri i Kosovës, Samir Ujkani, pranon se grupi për kualifikimet e kampionatit botëror “Katari 2022” është shumë i fortë. Por, shpreson me Kosovën të fitojë pikë ndaj Greqisë dhe Gjeorgjisë. Ai ka theksuar se Spanja është favorite e Grupit B, derisa Suedinë e vlerëson po ashtu nivel më të lartë se Kosova.
“Është një grup interesant për ne dhe shumë i fortë. Kemi Spanjën, një prej ekipeve më të mira në botë dhe është favorite e grupit. E kemi ditur që do ta kemi një ekip kaq të fortë në grup. Edhe Suedia është në nivel të lartë, derisa e kemi Greqinë ku kemi treguar se mund t’i bëjmë konkurrencë dhe Gjeorgjinë që është në nivelin tonë dhe duhet të synojmë të marrim më shumë pikë ndaj saj. Duhet të shkojmë ndeshje për ndeshje, pasi Kosova nuk është Brazil, Spanjë apo Itali. Kosova është ende e re, por mendoj se grupi është rritur. Kemi bërë si ekip shumë ndeshje së bashku dhe normalisht edhe populli edhe ne kemi nevojë të kemi sukses, por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të luftojmë ndeshje për ndeshje për t’i fituar pikët e plota”, ka thënë Ujkani të hënën për KOHËN.
Kosova është përballur me Greqinë në kuadër të edicionit të dytë të Ligës së Kombeve. Në ndeshjen e luajtur në Athinë ka barazuar, kurse në Prishtinë ka pësuar. Ndaj Suedisë B, Kosova B humbi në fillim të këtij viti.