UEFA ka njoftuar për rikthimin e spektatorëve gjatë Kampionatit Evropian 2020, por katër qytete, përfshirë Romën, duhet të japin “informata shtesë në planet e tyre”.
Aktualisht, tetë shtete kanë konfirmuar kapacitetin për tifozë, prej 25 deri në 100%, për Kampionatin Evropian që u shty verën e kaluar për këtë vit.
UEFA ka thënë se St. Petersburgu, Budapesti, Baku, Amesterdami, Bukureshti, Kopenhaga, Londra dhe Glasgow, kanë konfirmuar minimumin e kapacitetit, 25%, ndërsa Budapesti synon të bëhet i vetmi qytet që do t’i pranojë tifozët me kapacitet të plotë të stadiumit.
“UEFA është e lumtur t’ju njoftojë se do të ketë rikthim të tifozëve në stadiume për Euro 2020 dhe dëshiron të shprehë vlerësimin e saj për shoqatat anëtare dhe autoritetet shtetërore e lokale, të cilat janë duke bashkëpunuar për ta siguruar rikthimin e sigurt të tifozëve në stadiume”, thuhet në njoftimin e UEFA-s.
“Aktualisht, tetë shtete nikoqire kanë konfirmuar kapacitetet e stadiumeve të bazuara në parashikimet e tyre të përmirësimit të situatës shëndetësore në shtetet e tyre në qershor dhe korrik, për shkak të një numri të faktorëve, përfshirë vaksinimin, masat e planifikuara për rihapjen e ekonomisë dhe zbutjen e virusit për shkak të sezonit të ngrohtë”, thuhet tutje në komunikatë.
Munichu, Roma, Bilbao dhe Dublini deri më 19 prill duhet të paraqesin “informata shtesë”, para se të merret vendimi final.
“Katër qytetet e përmendura duhet që deri më 19 prill të paraqesin informata shtesë në planet e tyre dhe vendimet përfundimtare do të bëhen në atë datë, në lidhje me organizimin e ndeshjeve në ato vende. Informatat e mëtejme për blerësit e biletave në këto katër vende do të bëhen në kohë”, shkruan UEFA.
Sidoqoftë, UEFA ka vazhduar t’i inkurajojë tifozët që t’i kenë parasysh “masat dhe kërkesat për hyrje në ndonjë shtet” para se ta planifikojnë udhëtimin.
“Tifozët që dëshirojnë të udhëtojnë në shtetet nikoqire për t’i shikuar ndeshjet e tyre, do ta kenë sfiduese për shkak të masave të ndryshueshme. Ata do të duhet të jenë në përputhje me kufizimet dhe kërkesat në hyrjet kufitare (përfshirë edhe izolimin) që janë në fuqi në atë kohë, dhe asnjë përjashtim nuk do të garantohet në nëntë shtete nikoqire për ata që kanë bileta”, thuhet në njoftimin e UEFA-s.