Faqja qeveritare Integrimi Evropian i Kosovës, ka ndarë disa informata për shumën e parave që duhet të kenë me vete qytetarët e Kosovës që do të udhëtojnë për në zonën Shengen pas 1 janarit 2024.
Sipas kësaj faqe si udhëtar me të arritur në pikën e parë kufitare të Shengenit, nga policia kufitare juve mund t’ju kërkohet nëse keni dëshmi të mjaftueshme financiare për udhëtimin tuaj. Sasia e këtyre mjeteve varet nga dy grupe faktorësh: 1) nga numri i ditëve që do të qëndroni dhe shteti të cilin e vizitoni dhe 2) nga ajo nëse do të qëndroni në akomodim me pagesë si hotel/apartament apo tek të afërmit tuaj.
“Nëse deklaroni se do të qëndroni tek të afërmit tuaj duke ofruar adresën dhe kontaktin e tyre, varësisht se cilin shtet e vizitoni, shuma e mjeteve është rreth 30 – 50 EUR në ditë për person. Nëse deklaroni se do të qëndroni në një hotel apo apartament apo çfarëdo akomodimi tjetër me pagesë, varësisht se cilin shtet e vizitoni, shuma e mjeteve që duhet të ofroni si dëshmi financiare është rreth 50 – 100 EUR në ditë për person”, thuhet në njoftimin e faqes Integrimi Evropian i Kosovës.