Udhëheqësit botërorë të mbledhur në samitin e G20 në Bali po përpiqen të shpërndajnë një përshkallëzim të mundshëm në luftën disamujore në Ukrainë, pasi një “raketë e prodhuar nga Rusia” ra brenda Polonisë, anëtare e NATO-s, duke vrarë dy persona.
Raketa ra jashtë fshatit rural polak të Przeëodoë, rreth 6.4 kilometra në perëndim nga kufiri ukrainas të martën, afërsisht në të njëjtën kohë kur Rusia nisi valën e saj më të madhe të sulmeve me raketa në qytetet ukrainase në më shumë se një muaj.
Rrethanat rreth incidentit, i cili shënon herën e parë që një vend i NATO-s goditet drejtpërdrejt gjatë konfliktit pothuajse nëntëmujor, janë të paqarta. Nuk dihet se kush e ka gjuajtur raketën, apo nga është lëshuar, megjithëse Ministria e Jashtme polake e ka përshkruar atë si “prodhim nga Rusia”.
Të dy forcat ruse dhe ukrainase kanë përdorur municione të prodhuara nga Rusia gjatë konfliktit, me Ukrainën që vendosi raketa të prodhuara ruse si pjesë e sistemit të tyre të mbrojtjes ajrore.
Duke folur me gazetarët pasi mbajti një takim urgjent me liderët e G7 dhe NATO-s në margjinat e samitit të G20 në Bali, Indonezi, presidenti i ShBA-së, Joe Biden tha se informacionet paraprake sugjerojnë se nuk ka gjasa që raketa të ishte lëshuar nga brenda Rusisë.
“Ne ramë dakord të mbështesim hetimin e Polonisë për shpërthimin, dhe unë do të sigurohem që të kuptojmë saktësisht se çfarë ndodhi”, tha Biden, duke shtuar se udhëheqësit shprehën ngushëllime për dy personat e vrarë. “Pastaj ne do të përcaktojmë kolektivisht hapin tonë të ardhshëm ndërsa hetojmë dhe vazhdojmë. Kishte unanimitet të plotë mes njerëzve në tavolinë”, tha ai, shkruan CNN.