Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Xhavit Haliti, ka folur pas publikimit të informacioneve në mediumin “A2 news”, tekst i shkruar bazuar në dokumentin e publikuar nga hakerët, në të cilin thuhet se në vitin 2021 ishte planifikuar vrasja e kryeministrit Albin Kurti, Ismet Haxhës dhe Xhavit Halitit.
Sipas këtij raportimi, Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë kishte marrë informacione për atentat ndaj tri figurave të përmendura më lartë.
Deputeti Xhavit Haliti tha se ka pas paralajmërime nga policia për atentat ndaj tij, por thekson se situatat si kjo ai i ka “të rregullta”.
“Unë kam pas paralajmërime, më kanë lajmëruar edhe policia. U kanë një kohë kur më kanë ruajt, unë i kam këto të përhershme që nga viti 85, i kam kështu të rregullta”, tha Haliti për Gazetën Express.
I pyetur nëse ka pas informacione nga policia në vitin 2021, ai tha: “Më kanë tregu që është diçka por s’kam pas (mbrojtje). Ndoshta në distancë e që se kam ditë”.
Por, Haliti tha se rreth tri vjet më parë ai është ruajtur për gjashtë muaj nga mbrojtja e afërt e policisë.
“Rreth 3 vjet më herët më kanë ruajt 6 muaj kam pas mbrojtje të afërt të policisë, shtëpi, punë, rrugë kudo që kam lëvizë”, tha Haliti.
I pyetur nëse është informuar rreth arsyes së mundshme rreth vrasjes së tij, ai tha “nuk e di, ata e dinë”.