Mbetja jashtë e Sokol Cikalleshit ishte prej befasive më të mëdha në listën e përzgjedhësit të Shqipërisë, Sylvinho për Euro 2024. Cikalleshi për kohë të gjatë ka qenë sulmuesi kryesor i kuqezinjve.
Dhe 33-vjeçari duket që nuk e ka përballuar lehtë mbetjen jashtë Evropianit në Gjermani. Ai të martën njoftoi se tërhiqet nga Kombëtarja e Shqipërisë në futboll.
“Rrugëtimet janë të bukura, me uljet e ngritjet e veta. Gjatë rrugëtimit, nëse gjërat i ke bërë si duhet, fundi është i lumtur, ndonëse jo gjithmonë e zgjedhim vetë mënyrën. Ka qenë krenari dhe emocion i papërshkrueshëm përfaqësimi i fanellës së ekipit kombëtar të futbollit. Bartja e emocioneve të një kombi mbi shpinë është sa privilegj aq edhe përgjegjës që më ka bërë të përulur dhe mirënjohës ndaj çdokujt që më besoi, ndaj çdokujt që më dha kurajë për të vazhduar. E pa dyshim, në mënyrë të veçantë, ndaj çdokujt që brohoriti për mua”, ka shkruar Cikalleshi në një postim në rrjetet sociale.
Pjesë e Shqipërisë sulmuesi i fuqishëm ishte për një dekadë. Në 58 ndeshje ka realizuar 13 gola.
“Si çdo fillim që e ka edhe një fund, edhe rrugëtimit tim në ekipin kombëtar i erdhi fundi. Ndihem i lumtur për çka kam bërë gjatë këtij rrugëtimi”, ka vazhduar Cikalleshi.
Ai ka shkruar se ka dhënë pikën e fundit të djersës dhe shpirtin për të bërë më të mirën e mundshme për Shqipërinë. Ka falënderuar Zotin për çdo gjë në jetë, familjen, Tifozat Kuq e Zi. Sipas Cikalleshit, tifozët e Kombëtares meritojnë më shumë se që lojtarët kanë dhënë në fushën e blertë.
Në postim Cikalleshi nuk ka përmendur selektorin Sylvinho, por u është drejtuar bashkëlojtarëve të deritashëm.
“I lutem Zotit që shokët që do të vijojnë rrugëtimin në ‘Euro 2024’ të kenë sukses dhe të bëjnë paraqitje dinjitoze”.
Cikalleshi është nga Kavaja, ndërsa ka bërë karrierë të suksesshme.
Është pjesë e Konyasporit në Turqi, ndërsa ka luajtur edhe për skuadra të tjera të këtij vendi. Karrierë ka bërë edhe në vende të tjera.
Disa prej golave të tij ishin të rëndësishëm gjatë rrugëtimit të Kombëtares së Shqipërisë.
Lënia jashtë e Cikalleshit dhe Myrto Uzunit ka bërë bujë. Sylvinho nuk ka folur për mbetjen jashtë Evropianit të këtyre dy sulmuesve. Ka folur vetëm për lojtarët që i ka ftuar.
Letra e Sokol Cikalleshit: