Turbullira të ujit në kanalin e Ibër Lepencit, këto qytete kanë problem të furnizimit me ujë

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” bën të ditur se këtë të premte ndërprerje të furnizimit me ujë të pijshëm do të kenë qytetarët e Fushë Kosovës, lagjes “Kalabria” në Prishtinë, Obiliqit dhe Drenasit.

Në njoftimin e KRUP thuhet se si pasojë e reshjeve të dendura të shiut ditëve të fundit, janë rritur edhe rrjedhjet sipërfaqësore në zonat fushore dhe pastaj të njëjtat në disa raste kanë përfunduar tek kanali i Ibër Lepencit, kanal prej të cilit merret uji i pa përpunuar për t’u trajtuar pastaj për pije.

Si shkak i kësaj, ka rritje të turbullirës, nivel që bënë të pamundur trajtimin e ujit për pije konform standardeve dhe teknologjisë që posedon KRUP.

“Me qëllim që të ruajmë kualitetin e ujit për pije, jemi të detyruar të ndërprejmë furnizimin me ujë të pijshëm , duke filluar nga ora 09:30 për Fushë Kosovën dhe lagjen “ Kalabria ” në Prishtinë. Përveç ndërprerjes së detyrueshme të furnizimit me ujë të pijshëm për këto dy zona, ndërprerje do të kenë edhe Obiliqi dhe Drenasi”.

“Në momentin që kushtet lejojnë që uji të trajtohet dhe të garantohet cilësia e duhur pas trajtimit, ne do e rikthejmë gjendjen normale me trajtim dhe furnizim”, thuhet në njoftim.