Thomas Tuchel është një njeri me shumë vëzhgues përreth tij, por kurrë nuk do ta kishit imagjinuar se ish-shefi i Paris Saint Germainit, do të donte ta shihte veten si model i ardhshëm i Gjermanisë. Shënjestra e Chelseat, i cili po pret ofertën nëse shkarkohet Frank Lampard, dikur pozoi për një agjenci mode në New York, për revistën e meshkujve “Die Zeit”.
Tuchel 47 vjeç, kishte një rol si banakier kur u detyrua të tërhiqej nga futbolli në moshën 24-vjeçare por ai e pranon se puna në kafene e ndihmoi të bëhej një person më i sigurt. Tekniku gjerman është gjithashtu një nga të rrallët në mesin e menaxherëve të futbollit që mbajnë një diplomë. Krahas punës si banakier në “Radio Bar” të Stuttgartit, Tuchel arriti të diplomohet në Universitet për Administrim Biznesi. Profesionet e ndryshme të Tuchelit përshkruajnë jo vetëm një personalitet interesant, por një personalitet që do të ndriçojë Premier Leaguen nëse angazhohet nga Chelsea, duke pasur parasysh se Lampard është pranë shkarkimit. Tuchel aktualisht është i papunë pasi javë më parë u shkarkua nga skuadra e PSG-s.
I përfshirë në modë
Në vitin 2017, pak mund të besonin atë që po shihnin – sigurisht jo tifozët gjermanë të futbollit gjithsesi.
Tuchel thatanik që është i gjatë 190 centimetra u pa si model në magazinën gjermane te meshkujve duke u bërë përshtypje të gjithëve me stilin e tij prej një xhentëlmeni. Ai ishte i veshur me stil dhe kishte poza të ndryshme të fotografive që sollën edhe reagimet e kritikëve të modës. Sipas tyre, Tuchel plotësonte kushtet për t’u bërë model. Në atë kohë ai ishte në mes të punëve pasi u pushua nga puna nga Borussia Dortmund – vetëm disa ditë pasi fitoi kupën e Gjermanisë. Sidoqoftë, xhirimi elegant ishte qartësisht audicioni perfekt për punën e tij te PSG-ja që e mori në vitin 2018, me Parisin që është shtëpi e modës.
Tuchel kishte bërë një rrugë të gjatë nga fillimet e tij si një menaxher futbolli dhe nuk kishte hezituar të pranonte ofertën për të pozuar me veshje elegante për një revistë të njohur gjermane. Madje, Tuchel kishte deklaruar se nëse do të angazhohej në ndonjë skuadër tjetër, atëherë do të fillonte të punonte si model me kohë të plotë.
Pensionimi i hershëm
Në vitet e tij të hershme, Tuchel u ngrit si futbollist në radhët e Augsburgut ku luante si mbrojtës.
Por, në moshën 19-vjeçare ai u la i lirë dhe u transferua në divizionin e dytë të Gjermanisë, te Stuttgarter Kickers, duke regjistruar tetë paraqitje për klubin. Pastaj, me ngecjen e karrierës së tij në futboll, ai u bashkua me nivelin e tretë te SSV Ulm – ku u detyrua të varë këpucët në gozhdë në moshën 24-vjeçare pasi pësoi një dëmtim serioz në gju. Në vend që të merrej me ambiciet e tij të dështuara, Tuchel u regjistrua në universitet në degën e Administrimit të Biznesit. Ai i plotësoi të ardhurat e tij duke punuar në një lokal në qytet të quajtur “Radio Bar”. Atje ai mësoi aftësitë e jetës – edhe nëse koktejet e tij nuk ishin prej më të kërkuarve nga klientët.
“Unë nuk kam dashur t’i pijë koktejet që kam përzier në fillim. Unë ngadalë zhvillova një vetëbesim të ri në lokal, turn pas turni, mbrëmje pas mbrëmjeje”, ka thënë Tuchel. “Askush në bar nuk e kishte idenë se kisha qenë një futbollist profesionist. Në të vërtetë, askujt nuk i interesonte një gjë e tillë”.
Iu kthye ëndrrës
Pavarësisht nga përpjekjet më të mira të Tuchelit për të hyrë në akademi dhe për të qenë banakier që kënaq klientët në lokal, ai ende mendonte se kishte biznes të papërfunduar me futbollin. Ai kontaktoi shefin e atëhershëm të Stuttgartit, Ralf Rangnickun për një provë me rezervat e klubit duke besuar se ai ishte i aftë të luante pas nëntë muajsh pa goditur një top.
Sidoqoftë, dëmtimi kronik i kërcit bëri që Tuchel të mos ishte në gjendje të tregonte potencialin e tij të vërtetë. Duke e parë si një person me tru futbolli, Rangnick e shtyu Tuchelin drejt zejes së trajnerit. Ai e futi si trajner në akademinë e klubit kurse në vitin 2014, Tuchelit iu besua ekipi U14 i Stuttgartit. Në atë moment, Tuchel ndjeu se e kishte gjetur thirrjen e tij.
Nga banakieri në trajner të Mainzit brenda nëntë vjetësh
Trajektorja e çoi Tuchelin nga banakier në një trajner kryesor të Bundesligës në vetëm nëntë vjet dhe është dëshmi e përpjekjes së tij për të pasur sukses. Në Stuttgart, nën mentorin Hermann Badstuber, ai përfundimisht u bë ndihmës trajner për ekipin U19 duke ndihmuar skuadrën të fitojë titullin e Bundesligës për këtë gjeneratë në vitin 2005. Në vitin 2006, ai u kthye në Augsburg si trajner kryesor i gjeneratave të reja, ku mori licencat dhe pastaj drejtimin e ekipit të dytë. Ambiciozi Tuchel ishte në lëvizje përsëri – këtë herë në Mainz në vitin 2008, ku udhëhoqi ekipin U19 drejt titullit të kampionit në vitin e dytë, me një ekip që kishte në radhët e veta lojtarin Andre Schuerrle. Federata gjermane ishte e vendosur për të caktuar Tuchelin si shefin e ekipi U21, por atij i erdhi një ofertë më e mirë.
Kur trajneri i ekipit të parë të Mainzit, Jorn Andersen u pushua nga puna, Tuchel zuri vendin e tij. Dhe kjo ishte hera e parë që ai punonte si trajner i parë i një ekipi të Bundesligës.
Tregim suksesi
Me Mainzin që luante në sezonin e parë në Bundesligë, Tuchel arriti ta dërgonte klubin në pozitën e nëntë. Sezonin vijues, pas një serie të jashtëzakonshme prej shtatë fitoreve, që përfshinte triumfin edhe ndaj Bayern Munichut, Manzi përfundoi i pesti dhe siguroi pjesëmarrjen në fazën e grupeve të Ligës së Evropës për herë të parë në histori të klubit. Tuchel përshkruhej si një mjeshtër futbolli nga shtypi gjerman, me stilin e tij të lojës së futbollit që lavdërohej edhe nga ekspertët.
“Ai stil i lojës te Mainzi me nxori në pah si trajner me mendje sulmuese. Unë preferoj cilësi të caktuara të lojtarëve, një stil aktiv të lojës, mbrojtje të guximshme dhe lojë të hapur në sulm”, shpjegoi Tuchel taktikën e tij.
Ai ishte i gatshëm edhe për t’i përgatitur futbollistët në mënyra të veçanta përpara ndeshjeve të rëndësishme. Një herë, në vend që t’i bënte lojtarët e tij të shikonin video-analiza pas një disfate, Tuchel i motivoi ata me një fjalim të fuqishëm të huazuar nga Michael Jordani.
“Unë kam dështuar shumë herë në jetën time dhe për këtë arsye kam pasur sukses, sepse nuk jam dorëzuar asnjëherë”, u kishte thënë Tuchel futbollistëve të tij.
Kalimi te klubet e mëdha
Në vitin 2015, Tuchel u largua nga Mainzi për ta marrë drejtimin e gjigantit të Bundesligës, Borussia Dortmundi. Ai në postin e trajnerit te Dortmundi po zëvendësonte Juergen Kloppin. Futbollistët e rinj si Christian Pulishiq e Ousmane Dembele shkëlqyen dhe dolën në pah me Tuchelin si trajner, i cili përfundoi nënkampion i Gjermanisë në sezonin e tij të dytë në krye të Dortmundit.
Sidoqoftë, fitimi i trofeut të tij të parë si trajner në vitin e 17-të të punës doli të jetë i hidhur për shkak se vetëm tri ditë më vonë, Tuchel u shkarkua nga Dortmundi. Një marrëdhënie e tensionuar me hierarkinë e klubit, veçanërisht me presidentin Hans-Joachim Watzke, u gjykua të ishte arsyeja. Mirëpo, kjo nuk e pengoi PSG-në që të bëjë një lëvizje për Tuchelin, i cili për të marrë drejtimin e ekipit francez refuzoi ofertën e majme të Bayern Munichut. Në edicionin e tij të parë në Francë, Tuchel arriti ta fitojë titullin e kampionit. Mirëpo, përsëri ishin tensionet dhe përplasjet e tij me figurat e larta të PSG-s, përfshirë drejtorin sportiv Leonardo, ato që sollën shkarkimin e teknikut gjerman.
Tani mund të jetë koha që një figurë kaq komplekse ta shohim në Premier League.