Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë se planifikon të dorëzohet të enjten në gjykatën e Georgias për t’u përballur me akuzat për ndërhyrje në zgjedhje.
Një gjykatës në Georgia, që po e mbikëqyrë çështjen e ndërhyrjes së Trumpit në zgjedhje, ka caktuar një dorëzani prej 200 mijë dollarëve.
Marrëveshja nënkupton se Trumpi mund ta pres gjykimin duke qenë i lirë, për aq kohë sa ai nuk përpiqet t’i kërcënojë ose frikësojë dëshmitarët.
Por lajmin se do të dorëzohet, e ka bërë të ditur Trumpi në një postim në rrjetin Truth Social, shkruan BBC.
“A mund ta besoni? Unë do të shkoj në Atlanta të enjten për t’u arrestuar nga një prokuror i qarkut, i quajtur Fani Wills”, ka shkruar ai.
Trumpi i cili po garon për t’u zgjedhur sërish president i SHBA-së në vitin 2024 e përshkroi padinë si përpjekje të motivuar politikisht për ta dëmtuar fushatën e tij zgjedhore.
Autoritetet në Atlanta nisën një hetim pasi Trumpi iu kishte telefonuar zyrtarëve në Georgia disa javë para se të largohej nga Shtëpia e Bardhë, duke iu bërë presion për t’ia gjetur 11.780 votat e nevojshme për ta përmbysur fitoren e Bidenit në Georgia.
Trumpi përballet me akuzat tashmë për konspiracion për ta mashtruar SHBA-në, pengimin e dëshmitarëve dhe konspiracion kundër të drejtave të qytetarëve.
Aktakuza ndaj tij u ngrit më 2 gusht, pas një hetimi ndaj ngjarjeve që ndodhën gjatë trazirave të 6 janarit 2021, në Capitol të Shteteve të Bashkuara.