Presidenti amerikan Donald Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv për të filluar procesin e tërheqjes së SHBA-së nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
“Oooh, kjo është një gjë e madhe”, ka thënë presidenti i sapo inauguruar i SHBA-së ndërsa miratoi dokumentin pasi mbërriti përsëri në Shtëpinë e Bardhë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Ky ishte një nga dhjetëra veprimet ekzekutive në të cilat ai vuri nënshkrimin e tij në ditën e parë të detyrës.
Dhe kjo është hera e dytë që Trump urdhëron tërheqjen e SHBA-së nga OBSH.
Trump ishte kritik për mënyrën se si organizmi ndërkombëtar trajtoi Covid-19 dhe filloi procesin e tërheqjes nga institucioni me bazë në Gjenevë gjatë pandemisë.
Presidenti Joe Biden e anuloi më vonë atë vendim.
Kryerja e këtij veprimi ekzekutiv në ditën e parë e bën më të mundshme që SHBA të largohet zyrtarisht nga agjencia globale.
Urdhri thoshte se SHBA po tërhiqej “për shkak të keqpërdorimit të organizatës ndaj pandemisë Covid-19 që lindi nga Wuhan, Kinë dhe krizat e tjera globale shëndetësore, dështimi i saj për të miratuar reformat e nevojshme urgjentisht dhe paaftësia e saj për të demonstruar pavarësi nga ndikimi politik i shteteve anëtare të OBSH-së”.
Urdhri ekzekutiv tha gjithashtu se tërheqja ishte rezultat i “pagesave të padrejta të rënda” që SHBA i bëri OBSH-së, e cila është pjesë e Kombeve të Bashkuara.
Kur Trump ishte ende në detyrë, herën e parë ai ishte kritik ndaj organizatës se ishte shumë “e përqendruar te Kina” në trajtimin e saj të pandemisë Covid-19.
Trump akuzoi OBSH-në se ishte e njëanshme ndaj Kinës në mënyrën se si lëshoi udhëzime gjatë shpërthimit.
Ndërkohë nën administrimin e Bidenit, SHBA vazhdoi të ishte financuesi më i madh i OBSH-së dhe në vitin 2023 kontribuoi pothuajse një të pestën e buxhetit të agjencisë.
Buxheti vjetor i organizatës është 6.8 miliardë dollarë.
Ekspertët e shëndetit publik kanë qenë kritikë ndaj vendimit të Trump për t’u larguar nga OBSH, duke paralajmëruar se mund të ketë pasoja për shëndetin e amerikanëve.
Disa kanë theksuar se masa mund të ndryshojë përparimin e bërë në luftimin e sëmundjeve infektive si malaria, tuberkulozi dhe HIV dhe AIDS.
“Është një vendim presidencial kataklizmik. Tërheqja është një plagë e rëndë për shëndetin botëror, por një plagë akoma më e thellë për SHBA-në”, ka vlerësuar Lawrence Gostin, një ekspert global i shëndetit publik dhe profesor i Universitetit Georgetown.