Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, është betuar të hënën në Kapitol.
Ai u betua me dorë në një bibël që daton nga 1861-a e periudhës së Abraham Lincolnit dhe një bibël e nënës së Trumpit.
Betimin e bëri edhe JD Vance si zëvendëspresident i Amerikës.
Gjatë fjalimit si president, Trump u shpreh se epoka e artë e SHBA-së ka nisur tani.
“Epoka e artë e Amerikës nis pikërisht tani. Nga kjo ditë e tutje, vendi ynë do të lulëzojë dhe do të respektohet. Unë thjesht e vendos Amerikën në plan të parë…Jam shpëtuar nga Zoti për ta bërë Amerikën të madhërishme sërish”, ka thënë ai.
Ai është shprehur se nën udhëheqjen e tij do të rifitohet sovraniteti i amerikanëve.
“Siguria jonë do të rikthehet. Peshorja e drejtësisë do të ribalancohet…Prioriteti ynë kryesor do të jetë krijimi i një kombi krenar, të begatë dhe të lirë”, ka thënë Trump.
“20 janari i 2025-s është dita e çlirimit. Shpresoj që zgjedhjet e fundit të mbahen mend si më të mëdhatë dhe më të rëndësishmet në historinë e vendit tonë”, ka shtuar ai.
Presidenti Trump u zotua gjatë fjalimit se SHBA-ja do të marrë Kanalin e Panamasë.
“Në vitet e fundit kombi ynë ka vuajtur shumë, por ne do ta rikthejmë dhe do ta bëjmë sërish madhështor, më të madh se kurrë më parë. Ne do të jemi një komb si asnjë tjetër, plot dhembshuri e guxim. Fuqia jonë do t’i ndalojë të gjitha luftërat dhe do të sjellë një frymë të re uniteti në një botë që ka qenë e zemëruar, e dhunshme dhe krejtësisht e paparashikueshme. Amerika do të respektohet përsëri dhe do të admirohet, duke përfshirë njerëzit e fesë, besimit dhe vullnetit të mirë. Ne do të jemi të begatë, do të jemi krenarë, do të jemi të fortë dhe do të fitojmë si kurrë më parë. Nuk do të pushtojmë. Ne nuk do të frikësohemi. Ne nuk do të thyhemi dhe nuk do të dështojmë. Nga kjo ditë e tutje, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë një komb i lirë, sovran dhe i pavarur. Do të qëndrojmë me guxim, do të jetojmë krenarë. Ne do të ëndërrojmë me guxim dhe asgjë nuk do të na pengojë sepse ne jemi amerikanë, e ardhmja është e jona dhe epoka jonë e artë sapo ka filluar”, ka deklaruar Trump.
Trump është presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai ishte edhe presidenti i 45-të.