Tri infermiere të Klinikës së Pulmologjisë kanë rezultuar pozitiv me Covid-19, e që gjendja shëndetësore e tyre është stabile.
Në këtë klinikë që tashmë po trajtohen edhe rastet me koronavirus janë të shtrirë 22 pacientë pozitiv me këtë virus.
Drejtoresha e Klinikës së Pulmologjisë, Rukije Mehmeti, për KosovaPress ka treguar se gjendja e tri infermiereve që kanë rezultuar pozitiv me Covid është stabile.
Ajo tha se prekja e infermierëve me koronavirus e vështirëson punën e stafit të klinikës, por që tha se janë duke u bërë përgatitjet e planit të punës në mënyrë që pacientët të marrin trajtimin e duhur.
“Tri infermiere i kemi të prekura me COVID-19. Kryeinfermierja e klinikës është ajo e cila bënë menaxhimin e stafit të infermierëve dhe mund të them se është duke e planifikuar dhe duke e organizuar se si do të vijojë puna sa i përket stafit dhe normal që ka kërkuar edhe staf shtesë në mënyrë që të mund t’iu ofrojmë ndihmë të duhur pacientëve të cilët janë të shtrirë këtu në klinikë… Janë në gjendje shumë të mirë, fatmirësisht nuk kanë simptoma aspak, por janë testuar duke e pasur parasysh kontaktet të cilat i kemi dhe që të tria janë në gjendje shumë të mirë shëndetësore”.
Mehmeti ka folur edhe rreth kapaciteteve që kanë si klinikë, ku bëri të ditur se Klinika e Pulmologjisë dhe ajo e Dermatovenerologjisë kanë rreth 100 shtretër, e që tashmë disa prej tyre janë në shërbim të pacientëve me Covid-19.
“Ne i kemi 68 shtretër, plus Klinika e Dermatovenerologjisë 32 shtretër, do të thotë përafërsisht 100 shtretër. Mirëpo, në qoftë se kemi raste të reja të cilat janë të dyshimta dhe ende nuk kemi rezultat atëherë ato raste e zënë nga një dhomë që do të thotë nëse janë 6 pacientë, 6 dhoma janë nga një pacient dhe menjëherë automatikisht më zvogëlohet numri. Ndërsa, rastet të cilat janë COVID pozitiv ato mund t’i vendosim në një dhomë, ka dy, tri raste varësisht prej kapacitetit, varësisht prej numrit të cilët vijnë”.
Sa i përket punës së stafit mjekësor në këto ditë kur rastet me Covid-19 janë rritur, Mehmeti tha se po kanë vështirësi, për çka ka kërkuar nga qytetarët që të bartin maskat dhe të ruajnë distancën në mënyrë që të mos ketë rritje të rasteve me COVID-19.
Ajo deklaroi se qytetarët duhet të tregohen të kujdesshëm pasi që virusi po prek më së shumti pacientët në moshë të shtyrë të cilët kanë edhe sëmundje të tjera shoqëruese, e që po përfundojnë me fatalitet.
E që të mos vije deri tek përfundimi i rasteve me fatalitet, ajo tha se qytetarët duhet t’iu përmbahen rregullave të institucioneve shëndetësore.
“Ne po mundohemi që të mos vjen deri tek kjo, mirëpo për të mos ardhur deri tek kjo unë mendoj që kurrkush nuk na ndalon me dal, por nuk kemi të drejtë të çojmë infeksionin në shtëpi, të infektojmë të tjerët sepse duhet t’i mbajmë maskat, të mbajmë distancën në mënyrë që të ndërpresim zinxhirin e përhapjes së infeksionit. Kjo është e vetmja mundësi që ne ta zvogëlojmë këtë numër dhe të shkojmë përpara. Nuk varet vetëm prej asaj sa ne punojmë, ne po punojmë, mirëpo popullata a thua e ka menduar ndonjëherë që në qoftë se stafi mjekësor si mjekët, infermierët, e të gjithë ata që janë të kyçur, në qoftë se ata bien çka do të bëjnë ata dhe ku do të shkojnë”.
Numri total i rasteve pozitive në vendin tonë është 2 mijë e 878 raste, me gjithsej 51 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese, ndërsa janë shëruar 1 mijë e 577 pacientë.