Vetëm tri ditë pasi lindi, COVID-19 i mori jetën një 38 vjeçareje dhe foshnjes së saj të sapolindur.
Nëna lehonë po trajtohej në Klinikën Intensive në Prishtinë.
E njëjta para disa ditësh kishte kërkuar trajtim në Spitalin e Pejës, por nga aty ishte transferuar menjëherë në QKUK ku në kuadër të Klinikës së Gjinekologjisë ekziston edhe reparti për shtatzëna të infektuara me COVID-19.
Klan Kosova raporton se shtatzënia e viktimës është ndërprerë për shkak të gjendjes së saj të rënduar dhe më pas foshnja ka jetuar vetëm disa ditë.
Ndërkohë, në repartin e Neonatologjisë në Spitalin e Pejës kanë rezultuar edhe dy foshnje të tjera pozitive me COVID-19 për gjendjen e të cilave ka folur neonatologia Afërdita Panxha.
“Ky varianti Delta si duket është edhe më agresiv. Nuk ka kursyer edhe moshat më të reja. Javën e kaluar dhe këtë javë kemi pasë dy foshnje që kanë rezultuar pozitive. Njëra foshnje ka lindur në repartin tonë nga një nënë e infektuar me COVID-19, mirëpo fatbardhësisht foshnja ka qenë mirë dhe nuk ka manifestuar asnjë simptomë. E kemi mbajtur në observim për tri ditë dhe në gjendje të mirë ka shkuar në shtëpi”.
“Po ashtu kemi pranuar një foshnje dyjavëshe e cila ka ardhur me simptoma dhe e njëjta ka rezultuar pozitive pas testimit. Është trajtuar me terapi simptomatike dhe sot ka shkuar në shtëpi në gjendje të mirë”, ka thënë ajo.
Doktoresha Panxha ka treguar se nënat e këtyre dy foshnjeve që kanë rezultuar pozitive me koronavirus kanë qenë të pavaksinuara.
Mjeku kujdestar në Spitalin e Pejës, Rexhë Haxhaj, ka treguar më shumë detaje për gjendjen me COVID-19 në përgjithësi në këtë spital.
“Për dallim nga java e kaluar në këto tri ditët e fundit kemi rënie të numrit të pacientëve me COVID-19. Në Spitalin e Pejës aktualisht janë të shtrirë 220 pacientë, ku 170 prej tyre janë me oksigjeno-terapi dhe 70 prej tyre janë në gjendje të rënduar”.
Ai, në Klan Kosova, ka thënë se rreth 90 % e pacientëve që janë të hospitalizuar nuk janë imunizuar kundër COVID-19.
“Shumica e pacientëve që janë të hospitalizuar, afërsisht 90 % prej tyre, janë pacientë që nuk janë të vaksinuar dhe të cilët paraqesin shenja klinike shumë më të rënda sesa pacientët të cilët kanë marrë vaksinën kundër COVID-19”.