Për vitin e shtatë me radhë mënyra “mediterane” e të ngrënit po cilësohet si më e mira, raporton CNN.
Mënyra “mediterane” është zgjedhur gjithashtu si mënyra më e lehtë që mund të ndiqet për të humbur peshë.
Kjo dietë përmban shumë pemë e perime të freskëta, miellin integral, fasulet dhe farat.
Mishi i kuq përdoret shumë pak, zakonisht vetëm për të aromatizuar një pjatë. Inkurajohet ngrënia e peshkut të shëndetshëm dhe të yndyrshëm, që është i pasur me acide yndyrore omega-3, ndërsa vezët, bulmeti dhe mishi i pulës hahen në porcione më të vogla.
Studimet kanë zbuluar se dieta “mediterane” mund të zvogëlojë rrezikun për diabetin, kolesterolin e lartë, demencën, depresionin dhe kancerin e gjirit.
Ky plan i ushqimit, i cili është më shumë një stil ngrënieje sesa një dietë e kufizuar, ka përmirësuar gjithashtu edhe shëndetin e eshtrave, atë të zemrës dhe ka ndikuar në jetëgjatësi.
Mënyra e quajtur DASH është e dyta në listë dhe më e mira për hipertension.
Dieta DASH fokusohet në perime, fruta dhe drithëra të plota. Këtu përfshihen prodhimet e bulmetit pa yndyrë ose me pak yndyrë, peshku, fasulet dhe arrat. Dieta kufizon ushqimet që kanë shumë kripë si dhe sheqerin e shtuar dhe yndyrat e ngopura, të tilla si në mishrat me shumë yndyrë dhe prodhimet e bulmetit me yndyrë të plotë.
Dhe e treta në listë qëndron MIND që është dietë vegane që përmban vetëm produkte me bazë bimore.
“Bota e dietave mund të jetë shumë e koklavitur pasi që ka shumë dezinformim nëpër rrjete sociale”, ka thënë Shanleu Chein, redaktore e U.S. News.
Ajo ka rekomanduar se kushdo që dëshiron të ketë sukses duhet të ndjekë me përpikëri planet dietale.