Manchester City do të përballet me skuadrën e Interit në finalen e Ligës së Kampionëve. Ndeshje kryesore e garave evropiane për klube të futbollit do të zhvillohet të shtunën mbrëma në Stamboll.
Fituesin e finales pritet ta përcaktojnë tri “beteja” që vlerësohen shumë të rëndësishme. Më poshtë i paraqesim ato.
Si të ndalet Haalandi?
Në edicionin debutues në Angli, Erling Haaland ka shënuar 52 gola në të gjitha garat, duke përfshirë 12 në Ligën e Kampionëve. Me norvegjezin në përbërje, Manchester City po synon trofeun e tretë. Pavarësisht pyetjeve se si do të përshtatet në sistemin e Pep Guardiolës, Haaland ka dëshmuar se është i aftë të luajë rol të rëndësishëm në lojën e Cityt dhe të shënojë gola.
Përgjegjësia për ta mbajtur të qetë Haalandin do të bjerë mbi mbrojtësin e Interit, Francesco Acerbi. Nuk do të jetë vetëm betejë e lojtarëve të mëdhenj, por edhe përplasje brezash. Haaland është 22-vjeçar dhe Arcebi ka 35 vjet.
Interi nuk duhet të shikojë më larg se ndeshja e parë gjysmëfinale e Cityt për të marrë shënime se si Antonio Ruediger i Real Madridit “prangosi” Haalandin, me David Alaban që vinte në ndihmë kur partneri i tij ishte jashtë pozicionit. Tre mbrojtësit e Interit do të kenë nevojë për ndihmë nëse duan ta mbajnë Haalandin të qetë. Simone Inzaghi mund t’i kërkojë mesfushës të tërhiqet dhe t’ia pamundësojë Cityt hapësirën për ta gjetur sulmuesin e mahnitshëm norvegjez.
Dueli i mesfushës: De Bryune–Brozoviq
Ilkay Guendogan mund të ketë fituar të gjitha lavdërimet për golat e tij në fund të edicionit, që e kanë ndihmuar Cityn ta fitojë Premier Leaguen dhe Kupën FA. Por me 10 gola dhe 31 asistime mahnitëse këtë edicion, nuk ka dyshim se Kevin De Bruyne është njeriu tek i cili City do të mbështetet për ta thyer mbrojtjen e Interit.
Inzaghi e përjashtoi eksperimentin e dështuar të Interit me presion të lartë, për t’u kthyer në të qenët një skuadër kompakte që luan në kundërsulm dhe duke e vendosur vijën e mesfushës me pesë lojtarë më afër qendërmbrojtësve. Ndryshimi u shpërblye pasi Interi fitoi 11 nga 12 ndeshjet e fundit në të gjitha garat. Por italianët do të përballen me provën më të madhe kur De Bruyne të përpiqet ta marrë kontrollin në mesfushë. Pikërisht këtu lideri i mesfushës së Interit, Marcelo Brozoviq, do të jetë vendimtar për të penguar jo vetëm përpjekjet e belgut për të kontrolluar lojën, por edhe për t’u kthyer prapa për t’i ndërprerë aksionet në mënyrë që skuadra italiane t’i shpëtojë presionit të Cityt.
A mund të shkëlqejë sulmi i Interit?
Favoriti i finales, City, ka pasur mbi 60 për qind të posedimit të topit në Ligën e Kampionëve këtë edicion, gjë që mund të jetë mirë për Inzaghin. Interi ka qenë fatal në kundërsulme në Serie A.
Dyshja e Interit në sulm, Edin Xheko dhe Lautaro Martinez, kanë punuar mirë së bashku. Martinez, i cili është golashënuesi më i mirë me 28 gola, do të jetë i uritur për të shtuar një medalje të Ligës së Kampionëve pas suksesit në Kupën e Botës. Xheko është 37-vjeçar dhe ky ndoshta do të jetë shansi i fundit për të fituar një medalje evropiane. Ai ka shkëlqyer në tri ligat më të mira të Evropës në 16 vjetët e fundit.
Sulmuesi boshnjak e ndihmoi Cityn të fitonte dy tituj kampioni dhe një Kupë FA. Ai do të jetë kërcënim i vazhdueshëm, ndonëse e gjen veten përballë mbrojtësit Ruben Dias. Ndërsa markimi i Xhekos është një detyrë e veçantë pasi ai i mban të zënë qendërmbrojtësit, Martinez i Argjentinës është një kundërshtar më i ndërlikuar kur vendoset si sulmues i dytë.
John Stones ka shkëlqyer në rolin e ri si mesfushor defensiv. Megjithatë jo vetëm që Martinez do t’i bëjë gjërat të vështira për të, por edhe Nicolo Barella do t’i bëjë presion me vrapimet dhe tentimin e futjes në zonë.