Ndërmarrja “Trepça” ka kërkuar nga të gjitha subjektet që janë duke i shfrytëzuar pronat e saj që ta kontaktojnë.
Në një njoftim dërguar mediave menaxhmenti i “Trepçës” ka kërkuar që subjektet e ndryshme që, siç thuhet, me apo pa vetëdije janë duke i shfrytëzuar pronat e saj, ta kontaktojnë deri më 10 korrik të këtij viti.
“Kërkojmë nga të gjitha subjektet juridike dhe fizike, organizatat e shoqërisë civile dhe të gjitha subjektet tjera që me apo pa dijeni janë duke i shfrytëzuar pronat e paluajtshme të “Trepça Sh.A.”, që në afatin 30 ditor (deri më 10.07.2024) të na kontaktojnë në zyrat tona në objektin e menaxhmentit (Parku industrial në Mitrovicë)”, thuhet në njoftim.
Menaxhmneti ka paralajmëruar se do të ndjekë procedura gjyqësore në rast se ata që janë duke i shfrytëzuar pronat e ndërmarrje nuk lajmërohen brenda këtij afati 30 ditor.
“Bashkëpunimi i juaj do të na kursejë kohën dhe shkurtojë procedurat gjyqësore deri në realizimin e të drejtës sonë”, thuhet në njoftim.
“Së bashku me Agjencinë Kadastrale të Kosovës dhe zyrat regjionale kadastrale jemi duke siguruar dëshmi për pronësinë e ‘shoqërisë’. Të gjitha këto prona do t’i kthehen në shfrytëzim ndërmarrjes, me ç’rast disa prej tyre do t’i lëshojmë me qira e disa do t’i përdorim për zhvillimin e kapaciteteve të reja”, thuhet tutje.
Në njoftim thuhet se menaxhmenti i tanishëm është duke u angazhuar me seriozitetin maksimal në ringritjen e “Trepçës” drejt një gjiganti ekonomik.
“Po punojmë në rishikimin e infrastrukturës ligjore e cila synon një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik përmes hapjes së rrugës për investime, rritjen e vlerës së aseteve dhe avancimin e kapitalit tekniko-teknologjik si parakusht për rivitalizimin e Trepçës si një ndërmarrje me rëndësi të veçantë, jetike për mirëqenien sociale të punëtorëve dhe interesin e përgjithshëm publik”.