Duke siguruar nënshkrimin e çmuar të Lionel Messit, Paris Saint-Germaini kaloi në një dimension të ri, me një lojtar që konsiderohet gjerësisht si një nga më të mëdhenjtë e të gjitha kohërave të lojës së futbollit. Sulmuesi argjentinas 34-vjeçar, i cili iu bashkua PSG-së me një marrëveshje dyvjeçare dhe opsionin për një vit tjetër, do të paraqitet para një turme prej 50 mijë tifozësh në stadiumin “Parc des Princes” para ndeshjes kundër Strasburgut që luhet të shtunën. Ai forcon një sulm vezullues tek ekipi francez, që përfshin mikun e tij Neymarin, bashkatdhetarin e tij Angel Di Marian dhe sulmuesin e yllin francez Kylian Mbappe.
“Gjithçka në lidhje me klubin përputhet me ambiciet e mia të futbollit”, tha Messi. “Unë jam i vendosur të ndihmoj në ndërtimin e diçkaje të veçantë për klubin dhe tifozët”.
Dhjetë vjet pasi Javier Pastore u zbulua si transferimi i parë i PSG-së, për 42 milionë euro, Messi u bashkua si lojtar i lirë pasi ia dha lamtumirën e përlotur Barcelonës të dielën. Paga neto e Messit prej 35 milionë eurosh në vit është më pak më e vogël se e Neymarit që merr 37 milionë euro te Parisi. Pas marrjes së PSG-së në qershor të 2011-s, investitorët e pasur nga Katari tani mburren me një nga skuadrat më të mira në futbollin evropian, pasi kanë nënshkruar tashmë portierin e Italisë, që u shpall lojtari më i mirë i turneut “Euro 2020”, Gianluigi Donnarumman, mbrojtësin Sergio Ramos dhe mesfushorin Georginio Wijnaldum – që të gjithë falas. Një shpenzim i transferimit ishte 60 milionë euro për Achraf Hakimin, që e siguroi nga skuadra e Interit. Hakimi është pa dyshim mbrojtësi më i mirë i djathtë në Evropë dhe shënoi një gol të shkëlqyer në debutimin e tij në ligën franceze. PSG-ja, e mbështetur nga Katari ka qenë e dëshpëruar për të fituar trofeun e Ligës së Kampionëve, por në vitin 2020 dështoi pasi humbi në finale nga Bayern Munichu. Tani, me Messin në bord, ka pa dyshim sulmin më të fortë në futboll. Tifozët e etur pritën në aeroportin “Le Bourget” të martën pasdite dhe shpërthyen në thirrjet “Messi! Messi! Messi!” ndërsa ai i përshëndeste nga një dritare i veshur me një bluzë me mbishkrimin “Ici C’est Paris” – një këngë e preferuar mes fansave. Ardhja e tij tejkalon zhurmën e nënshkrimit rekord botëror të Neymarit për 222 milionë euro nga Barcelona në vitin 2017, dhe prezantimin e Zlatan Ibrahimoviqit nga Kulla e Eifelit në vitin 2012. Transferimet e tyre rritën shifrat e shikimit të TV në mënyrë të konsiderueshme, me transmetuesin “Canal Plus” duke marrë një rritje prej 40 për qind për ndeshjet e para të Neymarit te PSG-ja. Mirëpo, as Neymari e as Ibrahimoviqi nuk fituan një “Top të Artë” – Messi ka një rekord prej gjashtë çmimeve kryesore – dhe burimi i të ardhurave të PSG-së nga marketingu me ardhjen e argjentinasit do të përfitojë shumë. Numri i tij marramendës prej 672 golave për Barcelonën përfshin një sezon të jashtëzakonshëm me 50 gola në vitin 2012; 96 gola në ligë dhe 133 në përgjithësi gjatë viteve 2012 dhe 2013; tetë herë i shpallur golashënuesi më i mirë në La Liga dhe gjashtë herë në Ligën e Kampionëve. Messi ka katër trofe të Ligës së Kampionëve me Barcelonën, një rekord prej 91 golave në një vit kalendarik për klubin dhe vendin, dhe një titull të “Copa Americas” këtë vit me Argjentinën. Portieri i Atletico Madridit, Jan Oblak, ishte në mesin e lojtarëve që e lavdëroi Messin dhe pranoi se largimi i tij ka dëmtuar La Ligan.
“Për aq kohë sa kam luajtur, Messi ka ripërcaktuar futbollin. Nëse nuk do të ishte ai, La Liga do të ishte një vend krejt tjetër. Messi i ka frymëzuar të gjithë ta ngrenë nivelin e lojës së tyre. Tani, La Liga do të jetë ndryshe pa Messin”, ka thënë Oblak.
Me intuitën, vizionin, prekjen dhe pasimet e tij të guximshme, Messi nuk ka të bëjë vetëm me shënimin e golave. Që nga viti 2006, asnjë lojtar në pesë ligat kryesore të Evropës nuk ka krijuar më shumë raste shënimi për të tjerët. Ai i ka dhënë 190 asistime, ndërsa pesë herë fituesi i “Topit të Artë”, Cristiano Ronaldo, renditet në pozitën e gjashtë me 123 sosh. Edhe pse Messi nuk e ka fituar kurrë Kupën e Botës, ai i përket një grupi të vogël lojtarësh që konsiderohen si më të mëdhenjtë e të gjitha kohërave: brazilianin Pele dhe argjentinasin Diego Maradona. Asnjë lojtar nuk doli në skenën më të madhe ashtu si Pele si një 17-vjeçar në vitin 1958, duke shënuar dy herë në finale, pasi Brazili fitoi Kupën e Botës. Ai fitoi edhe dy Kupa Botërore dhe shënoi 77 gola për vendin e tij – një më shumë sesa Messi deri më tani për Argjentinën. Messi ishte frymëzues në “Copa America”, duke përfunduar si golashënuesi më i mirë me katër gola, duke udhëhequr me 5 asistime dhe duke u zgjedhur lojtari më i mirë i turneut. Ndoshta asnjë lojtar nuk ka luajtur në një mënyrë të jashtëzakonshme si Maradona, duke shënuar një gol të mrekullueshëm kundër Anglisë në çerekfinale në rrugën për të fituar Kupën e Botës në vitin 1986. Pavarësisht shanseve në vitin 1990, ai e çoi ekipin e tij në finale. Messi shkëlqeu për Barcelonën në rrethana të vështira në dy sezonet e fundit, duke vazhduar të shënonte shumë gola. Ai shënoi 38 gola sezonin e kaluar – kampanja e tij e 13-të rresht me 30 ose më shumë gola – dhe ishte mahnitës në fitoren 4:0 kundër Athletic Bilbaos në finalen e “Copa del Rey”. Ky ishte trofeu i fundit nga 35 trofetë e tij me fanellën e Barçës, klub që ai u bashkua si adoleshent. Synimi i tij i ardhshëm është ta ndihmojë PSG-në të fitojë trofeun e pakapshëm të Ligës së Kampionëve. Me Messin në ekip, PSG-ja ka gjasa të mëdha që të triumfojë në Ligën e Kampionëve.