Trajnime online për punëtoret e kompanive të sigurimeve

Shoqata e Sigurimeve e Kosovës për shkak të situatës së krijuar në vend si pasojë e pandemisë COVID 19 ka arritur të mbajë trajnime online për punëtoret e kompanive të sigurimit që operojnë në vendin tonë. Drejtori i Shoqatës, Sami Mazreku, thotë se kësaj radhe përgatitja për mbajtje të trajnimeve në distancë është bërë brenda një kohe të shkurtër, por ai tha se në ditët në vijim një sistem i tillë do të avansohet tej mase për tu përdorur edhe më tutje në kushte dhe rrethana normale.

Brenda një kohe relativisht të shkurtë për shkak të gjendjes së krijuar në vend si pasojë e pandemisë COVID 19, Shoqata Sigurimeve e Kosovës ka arritur që për herë të parë të organizojë  trajnime Online për punëtoret e kompanive të sigurimit në vendin tonë. Kësaj radhe kompanitë e sigurimeve janë detyruar ta bëjnë një gjë të tillë për shkak të situatës së krijuar në vend, por në fund të vitit që lamë pas drejtori i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës Sami Mazreku në planin e tij të punës për vitin 2020 kishte paraparë edhe organizimin Online, i cili është i obligueshëm për punëtorë të kompanive të sigurimeve në Kosovës të cilët shesin polica të sigurimit, ka raportuar “iSIGURIME”.

   

Sistemi do të avancojë

Drejtori i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës Sami Mazreku thotë se kësaj radhe si pasojë e krizës organizimi për trajnime Online është bërë brenda një kohe shumë të shkurtër, por sipas tij një sistem i tillë i trajnimeve në distancë në ditët në vijim do të avancohet.

“Në planin tim të punës që e kam përgatitur në fund të vitit 2019, për vitin 2020, për shkak të dinamikës që po kalojmë si shoqëri unë kam paraparë krijimin e platformës për trajnime të vazhdueshme Online, por edhe trajnimeve tjera, por kësaj radhe kriza na obligoi që të nisim ashtu siç mundemi, duke shfrytëzuar ato publike që kanë qenë ekzistuese. Por, këtë sistem ne do ta përsosim deri në maksimum, sepse është nevojë e kohës, por edhe për faktin se përmes sistemit online ne mund të kemi trajnues nga shumë shtete të ndryshme të botës. Thjeshtë është efikase dhe e domosdoshme për kohen të cilën po kalojmë ne”, ka thënë më tutje drejtori Mazreku.

Katër kompani kryejnë trajnimin Online

Më tutje drejtori Mazreku tregon se deri më tash katër kompani të sigurimeve i kanë kryer trajnimet online dhe sipas tij gjithçka ka shkuar më mirë se që është menduar. Ka qenë hera e parë dhe fillimi i trajnimeve është dashur të ndodh shumë shpejt, pa pasur shumë kohë për tu përgatitur.

“Ne jemi shumë të kënaqur me procesin, por edhe pjesëmarrësit janë shumë të kënaqur. Është diçka e re dhe interesante si për ne, ashtu edhe për pjesëmarrësit në trajnime. Ne tashmë kemi filluar angazhimet për krijimin e sistemit tonë, por edhe trajnimit të trajnueseve për ta aplikuar këtë sistem. Si kompanitë e sigurimeve që ne përfaqësojmë, ashtu edhe Shoqata, në vazhdimësi synojnë të jenë promotor të inovacionit në ketë  industri e cila ka rëndësi të veçantë, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe atë social. Pasi që paguajnë taksa për buxhetin e Kosovës dhe punësojnë një numër të madh të punëtoreve, si direkt, ashtu edhe indirekt”, ka thënë më tutje drejtori Mazreku.

CITIM:

“Në planin tim të punës që e kam përgatitur në fund të vitit 2019, për vitin 2020, për shkak të dinamikës që po kalojmë si shoqëri unë kam paraparë krijimin e platformës për trajnime të vazhdueshme online, por edhe trajnimeve tjera, por kësaj radhe kriza na obligoi që të nisim ashtu siç mundemi, duke shfrytëzuar ato publike që kanë qenë ekzistuese. Por, këtë sistem ne do ta përsosim deri në maksimum, sepse është nevojë e kohës, por edhe për faktin se përmes sistemit online ne mund të kemi trajnues nga shumë shtete të ndryshme të botës”, ka thënë Sami Mazreku.