Kampioni i Maqedonisë së Veriut, Shkupi të enjten në orën 21:00 luan kundër kampionit të Kosovës, Ballkanit në fazën e plejofit të Ligës së Konferencës. Të dy skuadrat e kanë shansin për të shkruar historinë dhe të futen në fazën e grupeve të kësaj gare, që për nga niveli është e treta në renditjen e UEFA-s.
Njëra nga to do të bëhet skuadra e dytë shqiptare që do të paraqitet në fazën e grupeve të një gare evropiane. Skënderbeu e kishte bërë më parë, pasi në dy raste ishte paraqitur në Ligën e Evropës. Trajneri i Shkupit, Goce Sedlloski, tha se skuadra e tij është gati ta luajë futbollin më të mirë të mundshëm, por vlerësoi lartë skuadrën suharekase. Sedlloski në konferencën për shtyp të mërkurën, pranoi se pret shumë nga ekipi i tij në ndeshjen e parë që do të luhet në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut.
“Jemi në prag të ndeshjes me Ballkanin dhe jam i lumtur që i kam në dispozicion të gjithë lojtarët. Të gjithë janë gati dhe nuk kam lojtarë të lënduar. Ne duhet të kemi durim, të luajmë me mençuri dhe ta luajmë futbollin më të mirë të mundshëm. Mendoj se kemi kualitetin dhe nga lojtarët pres ta luajnë futbollin më të mirë deri tani. Natyrisht, më duhet të them se e kemi një kundërshtar me kualitet të lartë, marrë parasysh arritjen e tyre në plejof. Nesër janë 90-të minuta dhe shpresoj që lojtarët ta japin maksimumin dhe t’i përmbushin detyrat në fushë”, ka thënë Sedlloski të mërkurën në konferencën për shtyp.
Drejtuesi i skuadrës së Shkupit ka shtuar se të gjithë e kanë analizuar mirë Ballkanin. Ai ka shtuar se e njohin ekipin nga Suhareka, me të cilin kishin luajtur një ndeshje miqësore në Strugë gjatë përgatitjeve për sezonin 2022/23.
“I kemi analizuar mirë. Një muaj e gjysmë më parë luajtëm ndeshje miqësore në Strugë. Kam thënë se Ballkani është ekip i mirë. Të gjithë mund ta ëndërrojnë fazën e grupeve, secili i ka idetë e veta dhe imagjinatat, por kjo duhet të konfirmohet në fushë. Nuk dua të flas për ta. Lojtarët duhet ta kenë fjalën në fushë dhe do të shohim pas 180 minutave se kush do të kualifikohet tutje. Ishim paksa të mërzitur pas eliminimit nga Shamrocku, por këtë e kemi lënë pas. Tani është lojë tjetër dhe ne duhet ta japim më të mirën, të luajmë siç dimë ne. Nuk duhet të bëjmë gabime të cilat është vështirë t’i përmirësojmë. Kemi luajtur mirë në ndeshjet e kaluara po ashtu, por gabimet na kanë kushtuar ndaj Dynamos dhe Shamrockut”, shtoi Sedlloski.
Ndërkohë, futbollisti me tipare defensive, Besir Demiri, beson se skuadra ku ai luan, Shkupi, ka më shumë cilësi sesa Ballkani. Megjithatë, ai ka shtuar se këtë Shkupi duhet ta dëshmojë në fushë, dhe ka shtuar se ekipi i tij ka një mundësi të artë për të luajtur në fazën e grupeve, të cilën nuk dëshiron ta lëshojë nga dora.
“Së bashku me stafin profesionist e kemi analizuar kundërshtarin. Mendoj se jemi gati dhe më të mirë sesa kampioni i Kosovës. Duhet ta kemi të qartë se Ballkani nuk është ekip i dobët. Nuk duhet ta humbim këtë shans. Shpresoj ta kem shansin nga trajneri dhe të jem titullar. Jam gati ta jap më të mirën”, nënvizoi Demiri.
Vetëm Shkupi apo Ballkani do ta vazhdojnë rrugëtimin evropian në fazën e grupeve prej 11 skuadrave shqiptare që ui paraqitën këtë edicion në raundet kualifikuese të garave të organizuara nga UEFA. Si Shkupi, ashtu edhe Ballkani garat i kanë nisur në fazën e parë kualifikuese të Ligës së Kampionëve. Përderisa Ballkani u eliminua në fazën e parë të Championsit dhe vazhdoi garat prej raundit të dytë të Ligës së Konferencës, Shkupi vetëm në plejof do të luajë në këtë garë. U eliminua në raundin e dytë kualifikues të Championsit, ndërsa nuk pati fat as në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës, përpara se ta kërkojë mundësinë të luajë në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.