Trajneri i Chelsea, Enzo Maresca u ka dhënë ultimatum lojtarëve që janë jashtë planeve të tij për këtë sezon.
Ata duhet të gjejnë një skuadër deri të premten, datë kur mbyllet merkato. Në të kundërt nuk do të kenë asnjë minutë lojë në ndeshjet e ekipit të tij.
Maresca ka qenë duke folur pikërisht për yjet e skuadrës si Rahem Steerling, Ben Chilwell, por mediat angleze e kanë interpretuar fjalën e tij si mesazh të qartë për të gjithë lojtarët që janë jashtë liste dhe që klubi kërkon t’i shesë apo t’i japë në huazim.
Ndër ta është edhe Armando Broja, kalimi i të cilit tek Ipswich Toën dështoi disa ditë më parë. u tha se shkak ishte dokumentacioni, por tërheqja e Ipswich erdhi pas testeve mjekësore të Brojës.
Me gjasë ka diçka që nuk shkon me sulmuesin i cili ka patur një vit të vështirë. Pas rikuperimit nga operacioni në gju, ai ende nuk e ka gjetur formën më të mirë dhe bindës as për trajnerët e Chelsea, as për atë të Fulham, klub në të cilin ishte në huazim, në gjysmën ne dytë të sezonit të shkuar.
Sulmuesi i kombëtares shqiptare të futbollit është në një situatë të vështirë. Chelsea mund ta japë në huazim, por me kushtin që ai të blihet nga klubi ku do të shkojë.
Blutë e Londrës kërkuan 30 milionë paund nga Ipswich. 22-vjeçari po përjeton një telenovelë dramatike në karrierën e tij të shkurtër si futbollist profesionist, duke shpresuar që të gjejë një zgjidhje sa më shpejt, pasi forma e tij i vlen shumë edhe kombëtares shqiptare për ndeshjet e Ligës së Kombeve dhe mbi të gjitha për kualifikueset e Botërorit në fillim të vitit të ardhshëm.