Në njërën anë të rrugës, një nga një po renditen njerëzit, duke afruar kokën e futur dorën në dritaren e vogël. E, duke treguar me gisht, ata zgjedhin bukën që dëshirojnë ta blejnë.
Si shenjë udhërrëfyese e furrës është edhe aroma e bukës e cila ndihet që nga larg.
Përveç aromës, gatimi i bukës pa aditiv e mënyra e pjekjes, kanë bërë që shumica e banorëve të zgjedhin furrën “Isufi” në Has të Prizrenit.
Banorët e Hasit janë të famshëm edhe në Evropë për gatimin e bukëve e për furra si ato të Kroacisë.
Megjithatë, ka të atillë si familja Çollaku, e cila vendosi ta ushtrojë këtë veprimtari në Kosovë.
Kjo familje, për 4 breza me radhë, përveç profesionit, nuk ka ndërruar as recetën e bukës.
Furra “Isufi” në Prizren identifikohet edhe për përgatitjen e brumit në metodën e vjetër. Mikseri që përmban rreth 180 kg brumë, është e vetmja makineri në këtë hapësirë. Pjesën tjetër të brumit ata e punojnë me dorë.
Sipas njërit nga pronarët, që është njëkohësisht edhe punëtor, Hajdar Çollaku, puna e tyre fillon pa zbardhur mirë dita.
E, në furrën me dru, mund të fusin për pjekje rreth 200 bukë përnjëherë. Temperatura e duhur për pjekje, sipas Hajdarit, është 240 gradë. Në bazë të druve të djegur, thotë se e vëren temperaturën që ka arritur furra.
Përveç bukëve pa aditiv, në raste festash, kjo furrë ofron pitalka e simite.
Ndonëse furra “Isufi” ka mbi 200 vjet traditë, Hajdari thotë se për shkak të punës së rëndë, pasardhësit e kësaj familjeje ende nuk kanë vendosur nëse do ta vazhdojnë atë./GazetaStop/