Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati ka njoftuar se fshati Topanicë është shpallur zonë karantine nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.
Sipas tij, ky vendim është marrë pasi një person i këtij vendi dyshohet se ka pasur kontakt të drejtpërdrejtë me banorët tjerë.
“Për luftimin e kësaj pandemie nuk mjafton vetëm karantinimi i një zone të caktuar, por këtë duhet ta bëjmë të gjithë. Të rrimë në shtëpitë tona në secilën pjesë të komunës”, ka shkruar Kastrati në një postim në Facebook.
Aktualisht në Kosovë të infektuar me koronavirus janë 106 persona, derisa një pacient ka vdekur nga kjo sëmundje.
Qeveria në largim e Kosovës ka shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik, me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit.