Top ngjarjet e vitit 2020 – ballafaqimi me pandeminë, rrëzimi i dy qeverive dhe aktakuzat e para nga Specialja

Viti 2020 ka pasur zhvillime të jashtëzakonshme politike dhe nuk ka qenë aspak i lehtë për qytetarët e Kosovës. 

Përveç ngjarjeve politike, si formimi dhe rënia e dy qeverive, ftesat e Gjykatës Speciale për ish-liderët e UÇK-së, dialogu Kosovë-Serbi etj, vendi është përballur edhe me pandeminë COVID-19.

Gjatë këtij viti po ashtu është arritur një marrëveshje ekonomike në Washington në mes të Kosovës dhe Serbisë, në praninë e presidentit amerikan Donald Trump, ndërsa tetori gjeti Kosovën me një ndër skandalet më të mëdha, atë të vjedhjes të 2.1 milionë eurove nga Thesari i Shtetit.

Më poshtë, Telegrafi.com ju sjellë një kronologji të ngjarjeve kryesore që kanë shënuar vitin 2020.

Nënshkrimi i marrëveshjes për bashkëqeverisje LVV-LDK

Pas disa muajsh nga mbajta e zgjedhjeve më 6 tetor 2019 dhe javë të tëra negociatash, më 2 shkurt 2020 lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, kishin arritur të nënshkruajnë marrëveshjen për koalicionin qeverisës.

Lideri i LVV-së, Albin Kurti kishte thënë se janë dakorduar që në qeverinë e ardhshme t’i kenë 15 ministri, 2 zëvendëskryeministra dhe 33 zëvendësministra.

“Kemi nënshkruar marrëveshjen, jemi marrë vesh për të gjitha, edhe për ndarjen e përgjegjësive në qeverinë e re ku do të bashkëqeverisim”, ishte shprehur Kurti.

“Procesi nuk ka qenë i lehtë, por shumë më i sigurt sesa që është menduar ose transmetuar”, tha Kurti.

Në atë kohë, edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa kishte thënë se kanë arritur marrëveshje që është në dobi të Kosovës dhe është në interes të ndryshimeve që duhet të ndodhin në vend.

“Vlerësoj se marrëveshja është rezultat i mirëkuptimit dhe një pune të përbashkët mjaft të gjatë me liderin e lëvizjes Vetëvendosje dhe me bashkëpunëtorët e tij. Kemi hulumtuar të gjitha alternativat, të gjitha mundësitë, kemi ardhur bashkërisht në një zgjidhje që e vlerësojmë se është në interes të Republikës së Kosovës”, ishte shprehur Mustafa.

Kosova me qeveri të re

Një ditë pas arritjes së marrëveshjes për bashkëqeverisje ndërmjet Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, më 3 shkurt në Kuvend u votua Qeveria Kurti.

Qeverinë e udhëhequr nga Kurti e kishin mbështetur 66 deputetë, ndërsa ka pasur 10 abstenime dhe asnjë kundër. Pak para votimit, partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate e kanë lëshuar sallën e kuvendit.

Pas votimit të qeverisë së re të Kosovës dhe dhënies së betimit nga kryeministri Albin Kurti dhe kabineti qeveritar, Kurti kishte thënë se fillon një kapitull i ri për Kosovën.

Siç tha ai, kursimet kishin nisur me reduktimin e ministrive nga 21 sa ishin në qeverinë paraprake në 15. Kurse nga 80 poste të zëvendësministrave, ai kishte thënë se qeveria e tij do të ketë rreth 33 sosh.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor, 2019. Lëvizja Vetëvendosje kishte fituar më së shumti vota, e përcjellë nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Pandemia COVID-19, dy personat e parë të infektuar me koronavirus në Kosovë

Shumë shpejt pas formimit të Qeverisë Kurti, janë paraqitur edhe rastet e para me coronavirus në Kosovë. Dy rastet e parë me koronavirus në Kosovë janë paraqitur më 13 mars dhe lajmin e kishin kumtuar atë kohë kryeministri Albin Kurti së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.

Menjëherë pas rasteve të para, Qeveria më 15 mars kishte shpallë edhe gjendje emergjente të shëndetit publik.

Qeveria e Kosovës përgjatë vitit kishte marrë masa të ndryshme për të parandaluar përhapjen e COVID-19, ndër to edhe kufizimi i orarit të lëvizjes, mësimi online, ndalimi i tubimeve publike, mbyllja e parqeve etj.

Po ashtu, me qëllim të përballimit të gjendjes me coronavirus, edhe spitalet rajonale kishin filluar të trajtojnë personat me COVID-19.

Kosova që nga 13 marsi deri tani shënon 51,328 të infektuar, 41,407 të shëruar dhe 1,335 të vdekur.

Numri më i lartë i viktimave brenda 24 orëve është shënuar më 3 dhjetor ku brenda ditës kishin vdekur 22 persona, ndërsa numri më i lartë i të infektuarve për 24 orë është shënuar më 13 nëntor, ku ishin shënuar 963 raste.

Mocioni i mosbesimit- bie Qeveria Kurti

Në kohën kur vendi përballej me pandeminë, edhe zhvillimet politike ishin në kulm. Lidhja Demokratike e Kosovës, partneri në koalicion i Lëvizjes Vetëvendosje, kishte ngritur mocion mosbesimit për të rrëzuar Qeverinë Kurti.

Pas një debati të gjatë dhe me tensione, Kuvendi i Kosovës më 25 mars ka miratuar mocionin e ngritur nga Lidhja Demokratike e Kosovës për rrëzimin e ‘Qeverisë Kurti’.

Për rrëzimin e qeverisë kanë votuar 82 deputetë, nga 117 sa ishin në prezent në sallë, ndërsa kundër votuan 36 deputetë dhe një prej tyre abstenoi.

Tre deputet nga LDK nuk e votuan mocionin e mosbesimit. Vjosa Osmani, Haxhi Avdyli dhe Ardian Shala.

Kriza qeveritare mes LVV-LDK-së erdhi në kohën kur e gjithë bota përfshirë edhe Kosova, po ballafaqohet me luftën kundër coronavirusit.

Mospajtimet të mëdha mes LDK-së dhe Vetëvendosjes dolën në shesh në lidhje me shfuqizimin e tarifës 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, masë kjo që ishte vendosur nga qeveria e kaluar e Kosovës, e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.

Pas thirrjeve nga SHBA-ja dhe BE-ja që tarifa të shfuqizohet, Kurti pati marr vendim që ta heqë pjesërisht atë, duke nisur me lirimin nga tarifa të lëndës së parë që importohet nga Serbia.

Por, kjo masë ishte e pamjaftueshme për LDK-në e cila kërkoi që tarifa të hiqet plotësisht.

Finalja e kësaj krize nisi me një deklaratë të ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu pasi ai doli në favor të dekretit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, masë kjo që u kundërshtua nga kryeministri Kurti. Pas kësaj deklarate të Veliut, Kurti e shkarkoi atë nga pozita e ministrit.

Pas rrëzimit të Kurtit, LDK dhe AAK arrijnë marrëveshje për bashkëqeverisje 

Pas rrëzimit të Qeverisë Kurti, më 29 prill Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kishin arritur marrëveshje për bashkëqeverisje.

Këtë e kishte konfirmoi kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj pas takimit që kishte pasur me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa dhe kandidatin për kryeministër, Avdullah Hoti.

“Arritëm marrëveshje për koalicionin qeverisës, pra për krijimin e qeverisë së re. Kosovën e presin plot sfida, e sfida e parë është gjendja me pandeminë, me të gjitha këto pasoja që ka shkaktuar, sidomos ekonomisë së vendit. Jemi të vetëdijshëm që nuk do të jetë e lehtë por kemi besim se të gjitha këto sfida që e presin Kosovën do t’i kalojmë bashkë me punë”, ishte shprehur lideri i AAK-së.

Votimi i Qeverisë Hoti

Më shumë se një muaj pas arritjes së marrëveshjes për bashkëqeverisje ndërmjet LDK dhe AAK-së, më 3 qershor Kuvendi i Kosovës me 61 vota pro, 24 kundër dhe 1 abstenim kishte votuar për Qeverinë Hoti.

Qeveria Hoti ishte votuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që i kishte dhënë të drejtë presidentit të atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi në mandatimin e Hotit për formim të qeverisë së re.

Lëvizja Vetëvendosje nuk ishte pajtuar as kur Thaçi pati marr vendim për mandatarin, dhe e ka dërguar të njëjtin në Kushtetuese dhe as pas aktgjykimit të kësaj të fundit, rreth kushtetutshmërisë së vendimit të presidentit të Kosovës.

Vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi

Pas një pauze në dialogun Kosovë-Serbi, në korrik të 2020 presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe kancelaraja gjermane, Angela Merkel kishin dalë me një deklaratë të përbashkët pas mbajtjes së Samitit të Parisit, ku u bë e ditur se dialogu mes Kosovës e Serbisë do të rifillojë më 12 korrik të 2020-së me një video-konferencë, ndërkaq po ashtu më 16 korrik do të vazhdohet me takimin në Bruksel.

Më pas, më 16 korrik kryeministri Avdullah Hoti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq janë takuar në Bruksel, ndërsa prezent ishte edhe përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell dhe Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun dhe çështjet tjera të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.

Hoti pas këtij takimi kishte thënë se ka qenë i vështirë, por që është shënuar progres.

“Ka qenë takim i vështirë. Qëndrimin tonë e kam prezentu në këtë takim dhe nuk do të lëviz asnjëherë nga ai qëndrim. Kjo është faza finale e përmbylljes së çështjeve të hapura me Serbinë”, ishte shprehur Hoti duke shtuar se i gjithë procesi do të marrë disa javë ose muaj, por jo më shumë.

Po pavarësisht këtyre deklaratave, pas takimeve të fundit në dhjetor në nivel të ekspertëve ndërmjet delegacionit të Kosovës dhe Serbisë, Qeveria ka dalë me një deklaratë ku thuhej se ende nuk ka përafrim të qëndrimeve.

Në deklaratën e 10 dhjetorit të Qeverisë së Kosovës thuhej se është diskutuar për pensionet dhe kadastrin, ndërsa edhe pas një diskutimi të gjatë, ende nuk ka përafrim të ndjeshëm të qëndrimeve.

Rimëkëmbja ekonomike

Përballja me pandeminë ka ndikuar edhe në rënien ekonomike në Kosovë. Sipas parashikimeve të Bankës Qendrore të Kosovës rënia do të jetë deri në 7.2 për qind.

Më 13 gusht 2020, Qeveria e Kosovës ka miratuar Programin e Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 365 milionë eurove përmes së cilës synohej të ndihmohej ekonomia nga dëmi që po e shkakton pandemia COVID-19.

Disa nga 15 masat e këtij Programi që lidhen me mbulueshmërinë e kredive, subvencionimin e bizneseve të prekura nga pandemia dhe bujqësisë, kanë si pikënisje edhe Programin Qeverisës 2020-2023, ndërsa, disa masa tjera të këtij programi janë të bartura nga Pako Emergjente Fiskale, të cilat nuk kanë mundur të ekzekutohen me kohë për shkak të mungesës së buxhetit.

Më 4 dhjetor 2020, Kuvendi i Kosovës miratoi edhe Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike me 13 amendamente të propozuara, ndërsa kjo përfshinë edhe tërheqjen e 10 përqindëshit nga Trusti. Me këtë Ligj subvencionohen bizneset me fond prej 200 milionë euro dhe mbulesa e tre pagave për qytetarët e larguar nga puna gjatë pandemisë COVID-19.

Kjo pako ishte kritikuar për vonesën në miratimin e saj dhe ishte vlerësuar si e vonuar nga ekspertët e ekonomisë.

Kosova dhe Serbia nënshkruajnë marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë

Kosova dhe Serbia më 4 shtator kanë nënshkruar marrëveshje në Uashington, marrëveshje kjo që cilësohej si historike dhe e nënshkruar nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Me këtë marrëveshje, Kosova gjithashtu është pajtuar që brenda një viti të mos kërkojë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, kurse Serbia në anën tjetër, është pajtuar që brenda një viti të ndalë fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

Në bazë të marrëveshjes, Kosova do t’i bashkohet “zonës së mini-Schengenit”, që është krijuar më 2019 dhe ku tashmë marrin pjesë, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Në marrëveshje gjithashtu përmendet edhe Liqeni i Ujmanit, ku thuhet se palët do të punojnë me Departamentin amerikan të Energjisë për një studim fizibiliteti, me qëllim të përdorimit të përbashkët të këtij liqeni, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë.

Po ashtu, aty parashihet që Kosova dhe Serbia të përshpejtojnë përpjekjet për të lokalizuar dhe identifikuar mbetet e personave të humbur. Në marrëveshje po ashtu përmendet se Kosova dhe Izraeli e pranojnë njëra tjetrën, dhe se Serbia do ta zhvendos ambasadën nga Tel Aviv në Jerusalem.

Arrestimet nga Gjykata Speciale dhe konfirmimi i aktakuzës

Përveç arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi në fillim të shtatorit në Washington, në këtë muaj ndodhi edhe arrestimi i parë nga Gjykata Speciale.

Më 24 shtator Zyra e Prokurorit të Specializuar ka konfirmuar arrestimin e Salih Mustafës në bazë të një fletarrestimi, urdhri për transferim dhe aktakuzës së konfirmuar, të lëshuara nga një gjykatës i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Arrestimi u krye nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në bazë të një aktakuze të konfirmuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Gjykata Speciale, pas Salih Mustafës arrestoi më 25 shtator edhe krerët e OVL e UÇK-së, Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn.

Gucati dhe Haradinaj akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Pas arrestimeve në fund të shtatorit, Gjykata Speciale në nëntor vazhdoi me arrestiminedhe të figurave kryesore të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Më 4 nëntor Jakup Krasniqi është transferuar për në paraburgim në Hagë, ndërsa shtëpitë e tij në Prishtinë dhe Negroc ishin bastisur me orë të tëra.

Më 5 nëntor presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një konferencë për media ka bërë të ditur se Gjykata Speciale ka konfirmuar aktakuzën ndaj tij.

“Para pak çastesh jam informuar zyrtarisht se gjykatësi i procedurës parapake i Dhomave të Specializuara ka konfirmuar aktakuzën kundër meje. Janë këto momente jo të lehta për mua, familjen time dhe juve që më keni mbështetur.  Unë do të bashkëpunoj ngushtë me drejtësinë dhe nga ky moment jam në dispozicion të drejtësisë. Sot më shumë se kurrë ju lus dhe ju bëjë thirrje të mos e humbisni shpresën, durimin dhe besimin. Ju ftoj që të reflektojmë se sa shumë kemi fituar si komb në këto tri dekada”, ishte shprehur Thaçi.

Në këtë konferencë, Thaçi kishte kumtuar edhe dorëheqjen nga pozita e presidentit të Kosovës. “Nuk do të lejoj në asnjë rrethanë që para gjyqit të dalë presidenti i Republikës së Kosovës”, ishte shprehur ai.

Pas dorëheqjes së Thaçit, detyrën e presidentit të vendit e mori kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani.

Më pas, Gjykata Speciale kishte konfirmuar edhe aktakuzën ndaj kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli dhe deputetit të LVV-së, Rexhep Selimit.

Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale tashmë kanë publikuar vendimin e aktakuzës së plotë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët akuzohen për krime lufte.

Aktakuza ndaj tyre është e përpiluar në 236 faqe. Ndër të tjera, në pikat e aktakuzës, ndaj tyre rëndon aktakuza për krime, vrasje, tortura në lokacione si Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Volljakë, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Llapashticë, Majac, Zllash dhe të tjera.

Vidhen dy milionë euro në Thesarin e Shtetit

Në tetor të 2020-së Kosova është përballur me një ndër skandalet më të mëdha, atë të vjedhjes së dy milionë eurove nga Thesari i Shtetit.

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami kishte se bëhej fjalë për katër transaksione të dyshimta nga Thesari, me vlerë rreth 2.1 milionë eurove që ishin transferuar tek një Operator Ekonomik.

I dyshuari për transaksionin e paligjshëm mbi 2 milionë euro nga Thesari i Kosovës është punëtori i Thesarit, Labinot Gruda, i cili më pas ishte arrestuar nga Policia e Kosovës.

Disa ditë pas publikimit të lajmit për vjedhjen e 2 milionë eurove ishte dorëzuar në Policinë e Kosovës, edhe Kadri Shala, pronari i kompanisë “LDA Group” me bazë në Llapushnik të Drenasit, të cilës iu ishin bërë transaksion mbi dy milionë euro nga Thesari i Shtetit.

Rënia e Qeverisë Hoti, Kushtetuesja hedh poshtë votën e deputetit Arifi – vendi shkon në zgjedhje

Pas rrëzimit të Qeverisë Kurti, edhe Qeveria Hoti nuk e pati gjatë. Gjykata Kushtetuese më 21 dhjetor nxori aktgjykim pro kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje për shpalljen të pavlefshëm votimin në Kuvendin e Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë Hoti më 3 qershor, pasi për këtë qeveri kishte votuar edhe deputeti Etem Arifi, i cili kishte një aktgjykim përfundimtar nga Gjykata e Apelit.

Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë votën e deputetit Etem Arifi dhe ka urdhëruar u.d presidenten Vjosa Osmani, që të shpallë zgjedhjet e parakohshme në afat prej 40 ditësh.

Osmani takime konsultative me partitë politike për datën e zgjedhjeve

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani tashmë ka zhvilluar takimet konsultative me përfaqësuesit e partive politike për datën e zgjedhjeve.

Pas publikimit të aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese, pritet të caktohet edhe data e zgjedhjeve, ndërsa përveç partive politike që janë shprehur të jenë të gatshëm për zgjedhje, edhe Komisioni Qendror Zgjedhor ka thënë se është e gatshme për mbajtjen e zgjedhjeve.

Sipas KQZ për këto zgjedhje nevojitet më tepër buxhet.

Ndryshe, dita e fundit e vitit 2020, Kosovën e gjen në pritje të publikimit të aktgjykimit të Kushtetueses dhe shpalljes së datës së zgjedhjeve. /Telegrafi/