Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk është furnizuar ende me vaksinat antiCOVID, shkruan Gazeta Stop.
Infektologu, Ilir Tolaj, ka thënë se Kosova është dashur që shumë herët të fillojë kontaktet me prodhuesit e vaksinave.
Sipas tij, sigurimi i vetëm dhjetëra apo mijëra vaksinave antiCOVID, nuk mund të ketë ndikim në ecurinë e pandemisë.
“Është ditur që COVAX është mekanizëm që i ka prioritet vendet më të varfëra se Kosova. Është bërë gabim sepse autoritetet qeveritare të Kosovës është dashur më herët të fillojnë kontaktet me prodhuesit e vaksinave në mënyrë që ta zënë rendin, ose të bëjnë kontakte me vende të fuqishme në mënyrë që të sigurojnë qindra mijëra vaksina. Sigurimi i vaksinave në numër të kufizuar nuk ka ndikim në ecurinë e pandemisë”, ka thënë ai në T7.
Tolaj është shprehur se i ka rekomanduar autoritetet që të mbajnë kontakte edhe me prodhues tjerë të cilët mëherët nuk i kanë pasur të licencuara vaksinat, në mënyrë që vendi të furnizohet mëherët, por që një gjë e tillë nuk ka ndodhur.