Duket se paqja mes modeles Ivana Knoll dhe autoriteteve të Katarit ka marrë fund. Ylli zakonisht shfaqet me disa veshje ekspozuese dhe kjo nuk u ka pëlqyer qytetarëve të vendit pritës të Kampionatit Botëror.
Ivana Knoll është influencuesja dhe modelja e re, e cila është kthyer në senzacionin e momentit në rrjetet sociale për praninë e saj në Katar, pasi mori pjesë në ndeshje të shumta për të brohoritur për kombëtaren e vendit të saj në Kampionatin Botëror. Bukuroshja ka lindur në Gjermani, por është rritur në Kroaci dhe është ndjerë gjithmonë shumë e lidhur me kulturën e saj, kështu që ajo u bë një qytetare e natyralizuar menjëherë pasi u shpërngul.
Edhe pse ajo ka qenë një nga personazhet më të njohura në eventin e organizuar nga FIFA, autoritetet e Katarit nuk janë aspak të kënaqur me mënyrën e veshjes së saj në stadiume dhe në vendet e ndryshme turistike që ka vizituar që nga ardhja e saj, shkruan BolaVIP.
Pas zhurmës së madhe, ajo duhej të dilte për t’iu përgjigjur njerëzve që e pyesnin për mirëqenien e saj, pasi masat e marra nga shteti i Gjirit Persik janë mjaft të vrazhda. “I gjithë vendi po flet. Të gjithë më njohin këtu dhe e pashë që më pranuan”, tha ajo. Por duket se paqja nuk zgjati shumë…
A mund të paditet Ivana Knoll nga autoritetet e Katarit për veshjen e saj?
Së fundmi, Ivana ishte sërish pjesë e lajmeve të tabloideve pasi u fotografua nga disa sheikë të Katarit brenda një prej stadiumeve, por arsyeja nuk është e mirë, pasi ata po i bashkëngjisin provat për ta denoncuar pranë autoriteteve të vendit.
“Vetëm për informacionin tuaj, nuk e bëjnë foton se e pëlqejnë, por sepse nuk u pëlqen mënyra e veshjes, në mënyrë të papërshtatshme për kulturën tonë. Ndoshta fotografia është realizuar për ta denoncuar”, tha sipërmarrësi katarian Hassan El-Xhefairi.
Biznesmeni vendas ka qenë ai që ka treguar arsyen se pse po i fotografonin “veshjet provokuese”. Kjo për shkak të politikës së Katarit për kufizime të rrepta për veshjen e grave, si dhe për ndalimin e homoseksualitetit.
Deri më tani nuk dihet ekzistimi i ndonjë ankese apo penaliteti për ish-Miss Kroacinë. Ajo bëri disa deklarata në lidhje me veshjet e saj në Kampionatin Botëror dhe gjithashtu demantoi pak ditë më parë një gazetë të Dohas që shkroi për një veprim të supozuar ligjor që thuhet se është ndërmarrë së fundmi kundër saj. /Telegrafi/