Një i mitur është therur me thikë të mërkurën rreth orës 09:45 në sheshin “Skënderbeu”, në Mitrovicë.
Lajmin për Telegrafin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.
Zahiti tha se në lidhje me këtë rast është arrestuar një person i dyshuar.
“Sot, rreth orës 09:45 është raportuar për një person të lënduar. Nga hetimet e para bëhet e ditur se incidenti ka ndodhur në sheshin ‘Skënderbeu’ në Mitrovicë, ku pas një përleshje lëndime nga një mjet i mprehtë ka pësuar viktima mashkull i moshës se mitur. Lidhur me rastin është arrestuar një person i dyshuar i moshës së mitur”, ka thënë Zahiti.
Ndërkaq, sipas tij njësitet përkatëse po vazhdojnë me rrjedhën e hetimeve.
Edhe zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni për Telegrafin ka thënë se në lidhje me rastin është njoftuar prokurori dhe po merret me rastin.
Ai tha se në këtë rast janë përfshirë dy të mitur, ku i dyshuari është arrestuar.
“Njëri është arrestuar, ndërsa tjetri i cili është therë nga mjeti i mprehtë është dërguar në QKUK për trajtim”, ka thënë Preteni.
Ndryshe, nga Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se në lidhje me rastin është arrestuar një i mitur, dhe njësitet përkatëse po vazhdojnë me rrjedhën e hetimeve.