Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për të shfuqizuar masat e reciprocitetit ndaj Serbisë.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Thaçi tha se tani presioni ndërkombëtar duhet drejtuar kah Serbia, që siç u shpreh ai “pa humbur kohë të rifillojë dialogu, i cili duhet të përfundojë me njohje reciproke ndërmjet dy shteteve”.
Masat e reciprocitetit ndaj Serbisë u vendosën nga Qeveria e kaluar e Kosovës më 1 prill, pasi paraprakisht ishte shfuqizuar edhe taksa 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se me heqjen e reciprocitetit, Kosova ka hequr pengesat për procesin e dialogut, por theksoi se tani i mbetet Serbisë, që të heqë pengesat, duke kërkuar ndaljen e fushatës së çnjohjeve të pavarësisë së Kosovës.
Fillimisht taksa 100 për qind e vendosur në fund të vitit 2018 dhe më pas reciprociteti i vendosur ndaj Serbisë në prill të këtij viti, janë parë si pengesa për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Dialogu politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është ndërprerë në fund të vitit 2018, kur u vendos taksa 100 për qind. Beogradi ka kërkuar heqjen e të gjitha pengesave, në këmbim të kthimit në tavolinën e bisedimeve.