Thaçi shpall zgjedhjet për Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka shpallur datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar në Komunën e Podujevës dhe për Kryetar në Komunën e Mitrovicës së Veriut.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në këto dy komuna, bazuar në vendimin e presidentit Thaçi do të mbahen më 29 nëntor 2020.

“Presidenti Thaçi e ka udhëzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve në Komunën e Podujevës dhe në atë të Mitrovicës së Veriut në përputhje me vendimet dhe ligjin në fuqi. Në dy vendimet e presidentit Thaçi theksohet se organizimi dhe mbajtja e zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Podujevës dhe për Kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut duhet të bëhet në koordinim dhe bashkërendim me institucionet përkatëse, në pajtim me Ligjin Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Në Komunën e Podujevës zgjedhjet ishin shpallur pas dorëheqjes së Agim Veliut nga pozita e kryetarit të këtij qyteti, pasi ishte emëruar ministër i Brendshëm në qeverinë e kaluar të udhëhequr nga tashmë ish-kryeministri, Albin Kurti, dhe që prej atëhere Podujeva është pa kryetar komune. 

Pa kryetar ka mbetur edhe Mitrovica e Veriut, pasi Goran Rakiq nga Lista Serbe është emëruar zëvendëskryeministër dhe ministër i Pushtetit Lokal në Qeverinë Hoti. 

Zgjedhjet në Komunën e Podujevës ishin paraparë të mbahen më 15 mars, por për shkak të situatës në vend me përhapjen e koronavirusit, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, me 14 mars pati vendosur t’i shtyjë ato.