Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ishte thuajse në çdo takim tjetër në Washington viteve të fundit, pos në këtë të fundit.
Ai, qëkur ndaj tij është ngritur aktakuzë nga Specialja, nuk po merr pjesë në bisedimet Kosovë – Serbi, as në Bruksel e as në Washington, ku javën e shkuar u firmosën dy zotime nga ana e Kosovës dhe Serbisë ndaj SHBA-së për zgjidhje të çështjeve të caktuara.
Thaçi në konferencën e mbajtur të hënë, tha se për të nuk është e rëndësishme kush përfaqëson Kosovën, por çfarë përmbajnë marrëveshjet.
“Për mua me rëndësi është shpirti dhe substanca e marrëveshjes. Më e rëndësishme sesa prezenca fizike. Kosova mund të ketë sukses me lidershipin e SHBA-së, me atë që mund të arrihet në Shtëpinë e Bardhë. Ndihem tepër mirë që ranë ato fluska të gënjeshtra që u përhapën për thika e për harta. Ku mbetën ato konspiracione e akuza, ata duhet t’u kërkojnë falje qytetarëve për atë konfuzion që e krijonin në opinion politik. Nuk mund të bëhet asnjë hap tutje pa unitet politik pozitë – opozitë. Vetëm kontributi i përbashkët i të gjithëve mund të rezultojë me sukses për vendin tonë, veçanërisht në procesin për implementimin e kësaj marrëveshje. Ne gjithë kemi kërkuar çdo herë që të ketë rol udhëheqës lidershipi i SHBA-së, kjo ka ndodhur. Nuk bën të lejojmë që mentaliteti tribal të ndikojë në vonesa që Kosova po i paguan shumë shtrenjtë”, ka thënë Thaçi.
Hashim Thaçi foli edhe për kritikat që mori nga Turqia për premtimin e Kosovës se do të hapë ambasadën në Jerusalem.
“Për hir të transparencës dua të informoj edhe për shqetësimin që kemi marrë nga Liga Arabe dhe presidenti Erdogan sa i përket njohjes së ndërsjellë me Izraelin. Kam diskutuar me Erdoganin në telefon. Kjo njohje nuk do ta cenojë në asnjë rrethanë partneritetin miqësor dhe vëllazëror me Turqinë.