Presidenti Hashim Thaçi pohoi se procesi i dialogut do të marrë epilog nën udhëheqjen e SHBA-ve.
Këto komente ai i dha në një konferencë për media pas Samitit të Zagrebit, ku ishte diskutuar edhe çështja e dialogut.
“Dialogu duhet të vazhdojë mes dy vendeve sovrane të pavarura. Këto realitete nuk mund t’i ndryshojë askush. Prandaj unë nuk jam këtu që të komentoj deklarime të këtij apo atij zyrtari, por ta përfaqësojë në çdo instancë ndërkombëtare vullnetin e qytetarëve të Kosovës, vizionin e politikës kosovare dhe të institucioneve kosovare, atë të vendit të pavarur dhe sovran duke respektuar në tërësi integritetin territorial të saj”.
“Natyrisht përmbyllja e procesit të dialogut – unë vazhdojë të besoj në lidershipin e SHBA-ve në koordinim me BE-në – do të rezultojë me njohje reciproke si dy vende të pavarura. Vetëm kjo i jep kuptim këtij procesi. Kush e kundërshton këtë besim të udhëheqjes së SHBA-ve dhe rolit të tyre përcaktues në këtë proces, ato janë dilema krejt të panevojshme dhe të paqëndrueshme”.
Ai theksoi se institucionet e Kosovës dhe populli i këtij vendi ka pasur gjithmonë besim të plotë tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në këtë konference Thaçi u pyet edhe për letrën që kryeministri në detyrë Albin Kurti i dërgoi zëvendëspresidentit amerikan Mike Pence, në të cilën thuhet se emisari i posaçëm amerikan për dialogun Richard Grenell, është keqinformuar nga presidenti.
Ky i fundit tha se nuk e ka ndërmend të merret me këto letra.
“Nuk jam duke i lexuar, nuk jam duke i përcjellë, s’i kam pas nëpër duar të mia. Por ai është i lirë që t’i shkruaj kujtdo, çka të do. S’e kam ndërmend të merrem me ato letra. SHBA-të e njohin realitetin në Kosove shumë mirë, edhe të gjithë të tjerët”, tha Thaçi.