Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka vendosur kurora lulesh tek memoriali “Heroinat” në kryeqytet.
Thaçi ka deklaruar se jemi duke i kaluar, ditët, javët dhe muajt e përmasave të gjenocidit të Serbisë të kryer në Kosovë, gjenocid ky njohur dhe konfirmuar tashmë botërisht.
“Po kalojmë periudhën e dëbimit masiv të 1 milion shqiptarëve të Kosovës por edhe të përkujtimit të vrasjes së mbi 10 mijë shqiptarëve nga shteti i Serbisë, mbi 400 masakrave masive kundër shqiptarëve i vrasjes së 1300 fëmijëve shqiptarë, por në tërë këtë përpjekje për liri, pavarësi e shtet kontributi i gruas dhe femrës shqiptare qoftë në istikamet e luftës qoftë në format e tjera të rezistencës, ka qenë jetik dhe vendimtar për mobilizimin e njerëzve për krijimin e kohezionit gjithëpopullor dhe kjo është produkt i kuraojs dhe edukimit të tyre në familje” ka thënë Thaçi.
Presidenti ka shtuar se ky monument dhe ky nderimi që sot i bëjmë është një nderim për femrën shqiptare, për heroinat tona që dhanë gjithçka për lirin dhe pavarësinë e Kosovës.
“Është vlerësim për punën e palodhur të tyre dhe heroizmin e tyre të paparë në rajon por edhe në botë. Në të njëjtën kohë kujtojmë edhe dhunimet e mbi 20 mijë grave shqiptare nga shteti i Serbisë”, ka thënë Thaçi.
Thaçi ka shtuar se për fat të keq ende nuk ka drejtësi as lokale as të bashkësisë ndërkombëtare për gjenocidin e Serbisë në Kosovë.
“Kjo heshtje e ndërkombëtare është një heshtje që në një formë apo tjetrën e ka amnistua në njëfarë mënyre gjenocidin dhe spastrimin etnikë të Serbisë në Kosovë. Por nuk ka kohë dhe nuk do të ketë faktor që do të mund të amnistojë krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Nuk ka paqe pa drejtësi dhe për këtë do të punojmë të gjithë së bashku”, u shpreh Thaçi.