Presidenti Hashim Thaçi, gjatë vizitës së tij në Nju Jork ka takuar edhe përfaqësuesit e shoqatës shqiptare “Vatra”.
Thaçi ka treguar se pati një bashkëbisedim miqësor me kryetarin e saj, Elmi Berisha dhe anëtarët e saj.
“Në Nju Jork të SHBA-së isha në selinë e Vatrës, shoqatës më të vjetër shqiptare, ku u prita nga kryetari i ri i saj, Elmi Berisha, dhe nga anëtarët e kësaj shoqate. Pata një bashkëbisedim të përzemërt, miqësor e të hapur me bashkëkombësit. Liria dhe pavarësia e Kosovës, të arriturat e Kosovës, të tërë shqiptarëve janë të lidhura ngushtë me punën e vyeshme, me guximin dhe me sakrificën e diasporës shqiptare”, ka shkruar presidenti Thaçi në profilin e tij, në Facebook.
Shoqatën ‘Vatra’, e ka vizituar edhe kongresmeni Eliot Engel, një përkrahës i gjatë, i çështjes shqiptare veçanërisht i pavarësisë së Kosovës.
“Unë gjithmonë kam thënë që Kosova do të jetë një komb i lirë dhe i pavarur, me gjithë zërat skeptik për këtë. Ju gjithmonë do të keni mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Engel. /Telegrafi/