Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka thënë se procesi i dialogut me Serbinë nuk guxon assesi të rrëshqas në nivel teknik.
“Në këtë takim diskutuam për çështjen e dialogut me Serbinë. E kam mirëpritur emërimin e z.Hyseni si koordinator shtetëror të Kosovës në dialogun me Serbinë. Është në interes që të ndodh ky dialog, sepse vetëm me dialog Kosova mund të ec drejt perspektivës evropiane. Në të njëjtën kohë ne duhet ta ruajmë dhe ta forcojmë identitetin tonë shtetëror, dhe në asnjë rrethanë mos të lejojmë që ky proces të zbres në nivel teknik, sepse raporti Kosovë-Serbi është kryekëput politik”, ka thënë Thaçi, shkruan Telegrafi.
Presidenti ka theksuar se me kryeministrin Avdullah Hoti do të bëjnë përpjekje që të ndërtojnë një konsensus të gjerë që të gjithë të japim kontributin dhe t’i marrim përgjegjësitë në këtë proces.
Thaçi shtoi se aty ku nuk janë SHBA-të, është skeptik se mund të ndodhë njohja reciproke.
“Jetike për ne si Kosovë është që në tavolinë dhe në procesin udhëheqës të jenë SHBA-të natyrisht edhe Bashkimi Evropian”, tha presidenti Thaçi.
Presidenti theksoi se gjatë këtij takimi është folur edhe për tejkalimin e situatës me pandeminë COVID-19, si dhe për zhvillimin ekonomik dhe pakon e rimëkëmbjes ekonomike.