Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas takimit me Emisarin Special të BE-së, Miroslav Lajçak, ka treguar se me të kanë biseduar rreth arritjes së marrëveshjes reciproke me Serbinë.
Takimin e ka quajtur miqësor.
“Mund të konkludoj se bashkëbisedimi ynë ka qenë korrekt, konstruktiv dhe bisedë e hapur e miqësore në drejtimin e gjetjes së mundësive për arritjen e marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë që do të nënkuptonte njohje reciproke dhe mundësinë që Kosova të anëtarësohet në OKB”, tha Thaçi, përcjell KOHA.
Thaçi tutje ka bërë thirrje te BE-ja që të lëvizë më shpejtë rreth liberalizimit të vizave.
“E ardhmja e vetme e Kosovës është që të jetë pjesë e NATO-s dhe BE-së, dhe në këtë drejtim BE-ja duhet të lëvizë shpejtë drejt liberalizimit të vizave sepse po ndodh padrejtësi dhe ndëshkim. Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret. Besoj se ka ardhur momenti që nga Bashkimi Evropian, të hidhet në tavolinë mundësia e diskutimit për njohjes reciproke, sepse duhet të jetë pika e parë e marrëveshjes. Dua të besoj se vetëm njohja reciproke mund të jetë mundësia e vetme që garanton stabilitetin në rajon dhe miqësinë mes dy shteteve tona dhe garanton paqe. Edhe takimi që kam zhvilluar në Bruksel me Lajçakun kemi pasur temat e njëjta. Edhe në Washington poashtu. Shoh koordinim edhe të BE-së dhe SHBA-së. Është mesazh i mirë dhe inkurajues që të jemi unik e të bashkuar përballë Serbisë, kjo do të mundësonte edhe zhvillimin ekonomik”, tha tutje presidenti Thaçi.