Presidenti Hashim Thaçi, ka thënë në një konferencë të jashtëzakonshme se vendimi i Qeverisë për të kufizuar lirinë e lëvizjes së qytetarëve është shkelje flagrante e Kushtetutës së Kosovës.
Ai mbajti konferencë vetëm pak minuta pasi Qeveria mori vendim për kufizim të lëvizjes së qytetarëve si masë mbrojtëse ndaj koronavirusit.
“Jam detyruar që sonte të thërras mediat dhe që përmes tyre t’iu drejtohem në këto orë të vona për shkak të një vendimi të rrezikshëm për qytetarët dhe sigurinë e vendit. Kryeministri Kurti dhe Qeveria e tij kanë shkelur në mënyrë flagrante Kushtetutën e Kosovës”, tha Thaçi.
Sipas tij, liria e lëvizjes mund të kufizohet vetëm kur të shpallet gjendje e jashtëzakonshme.
“Vendimi për kufizimin e lirisë së lëvizjes së qytetarëve paraqet shmangien nga të drejtat dhe liritë e njeriut që garantohen me Kushtetutën e Kosovës. Kufizimi i të drejtave dhe lirive të qytetarëve mund të bëhen vetëm me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. E atë mund ta shpallë vetëm Kuvendi i Kosovës”, tha ai.
“Unë do të respektoj Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, dhe do të kujdesem që institucionet e Kosovës të veprojnë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet”, deklaroi Presidenti Thaçi në një konferencë për media.
Ai tha se në pajtim me Kushtetutën, do ta kundërshtojë çdo institucion që shkel Kushtetutën dhe ligjet e vendit.
Presidenti tha se “me këtë vendim, Qeveria Kurti ka shkelur një mori nenesh të Kushtetutës së Kosovës”.
“Deri më sot, Qeveria ka thënë se gjendja është nën kontroll, dhe në bazë të kësaj ata kanë kundërshtuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Qytetarët nuk janë të detyruar t’i respektojnë vendimet antikushtetuese dhe askush s’mund t’i dënojë ata për këtë”, theksoi presidenti Thaçi.
Kreu i shtetit tha se për këtë vendim të Qeverisë së Kosovës nesër do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për, siç tha ai, “të pezulluar dhe anuluar këtë vendim”.
“As Policia e Kosovës, as organet e sigurisë, nuk duhet të zbatojnë këtë vendim antikushtetues të qeverisë sepse kështu edhe vet do të bëjnë vepër penale. Vendimi i Qeverisë është pa efekt juridik të zbatueshëm dhe është i pazbatueshëm në tërë territorin e Kosovës. I njëjti kryeministër që refuzoi me këmbëngulje shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, tani po merr vendime antikushtetuese. Këto veprime ai po i bën jo për të mbrojtur qytetarët, por për të mbrojtur veten e tij. Nesër do t’i kërkoj gjykatës kushtetuese pezullimin dhe anulimin e këtij vendimi”, tha Thaçi.