Thaçi kërkon nga presidenti i KE-së që të merret vendimi për liberalizimin e vizave

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka zhvilluar një telefonatë me Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, në kuadër të përgatitjeve për Samitin e Zagrebit që do të mbahet sot pasdite, nën organizimin e Kroacisë si kryesuese e radhës e BE-së.

Sipas njoftimit nga presidenca, Thaçi dhe presidenti Michel u pajtuan që BE-ja duhet të vazhdojë angazhimin për perspektivën e integrimit të Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane dhe se mesazh pozitiv në këtë drejtim është edhe mbajtja e Samitit të Zagrebit.

“Presidenti Thaçi kërkoi që shtetet anëtare të BE-së të marrin sa më parë vendimin për liberalizim të vizave”, thuhet në njoftim.

Dy liderët u pajtuan se përkundër rrethanave të pandemisë së shkaktuar nga virusi COVID19, angazhimi për forcimin e demokracisë në Kosovë dhe garantimin e punës së institucioneve të pavarura është jetik.

Po ashtu, nga të dy palët u theksua rëndësia e bashkëpunimit rajonal dhe koordinimit të BE-së me shtetet anëtare dhe aktorët tjerë që kanë rol në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.