Thaçi: Jetike që dialogu Kosovë-Serbi të ketë konsensus

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka theksuar se e rëndësishme për të është që dialogu Kosovë-Serbi të ketë konsensus. Gjatë takimit me kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Bashën ai e ka quajtur “jetike” çështjen e konsensusit.

“Kënaqësi e veçantë ta takoj mikun tim të vjetër. Sot diskutuam për zhvillimet në Kosovë e Shqipëri, për mundësitë e bashkëpunimit edhe më të mirë. Destinacion edhe i Kosovës është të hyjmë sa më shpejt në NATO e në BE. Është e rëndësishme që të kemi një konsensus sa më të gjerë për perspektivë evropiane. Diskutuam edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Për neve është jetike që të kemi konsensus institucional në Kosovë, është jetike që të jetë i koordinuar edhe mes Washingtonit dhe Brukselit. Ai duhet të përmbyllet jo në aspekt teknik, por për njohje reciproke”, ka thënë ai.

E Basha presidentit të Kosovës ia ka shprehur përkrahjen për “qëndrimet konsekuente”.

“Shpreha mbështetjen time për qëndrimet konsekuente si kre i shtetit në mbështetje të dialogut, në mbështetje të kohezionit të forcave politike në Kosovë. Kam theksuar bindjen dhe besimin se bashkërendimi i plotë mes SHBA-së dhe BE-së ka qenë dhe mbetet parakusht për sukses”, ka thënë ai.