Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, këtë javë do t’i nisë konsultat me partitë parlamentare në përpjekje për ta krijuar qeverinë e re, pas mocionit të suksesshëm ndaj Qeverisë Kurti. Por Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, e ka bërë të qartë se nuk do t’i përgjigjet kërkesës së presidentit për caktim të një mandatari tjetër.
Sipas interpretimit të juristëve, presidenti nuk do të mund ta kërkojë mandatarin tek partitë e tjera, përderisa fituesi i zgjedhjeve nuk e dërgon emrin ose nuk heq dorë shprehimisht nga e drejta për ta ofruar emrin.
LDK-ja, e cila inicioi mocionin për rrëzimin e Qeverisë në kohën kur vendi po ballafaqohet me pandeminë e koronavirusit, kërkon qeveri të stabilitetit, dhe nuk e përjashton mundësinë të jetë pjesë e saj.
Gazeta Koha Ditore, ka pyetur në Presidencë prej javës së kaluar për opsionet që Thaçi synon t’i shtrojë me partitë në konsultat e paralajmëruara, por ka munguar përgjigjja e tyre.
Kryeministri në detyrë, njëherësh kryetar i VV-së, Albin Kurti, të dielën e ka ftuar Thaçin të mendojë për datën e zgjedhjeve, para se t’ia kërkojë mandatarin. Nëpërmjet një deklarimi në rrjetet sociale, Kurti ka thënë se neni më i rëndësishëm i Kushtetutës së Kosovës për ecjen përpara është ai 82.2. Ky nen thotë se Kuvendi mund të shpërndahet nga presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë.
“Këtu, folja jokalimtare ‘mund’ nuk është ajo e një mundësie subjektive të zgjedhjes, por e lejes për të proceduar nga një autoritet. Nuk është e rastësishme që në versionin në anglisht të Kushtetutës sonë, fjala ‘mund’ nuk është ‘can’ por ‘may’. Së këndejmi, neni 82.2 është dispozitë e lejimit dhe jo e përzgjedhjes”, ka shkruar Kurti. Sipas tij, presidenti nuk duhet të hutohet në nenin 95, por të kufizohet tek neni 82.
“Nëse kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe shumica në Kuvend mandaton kandidatin e ri për të formuar Qeverinë”, thotë neni 95.5.
Por, sipas Kurtit, ka dallim thelbësor ndërmjet situatës kur kryeministri dorëhiqet nga posti i tij dhe asaj kur Kuvendi voton mocion mosbesimi ndaj qeverisë.