Presidentja Vjosa Osmani ka folur pas deklaratave të fundit të kreut të AKR-së, Behgjet Pacolli i cili deklaroi se ka komunikuar me Milan Radoiçiqin për t’ia siguruar votat formimit të Qeverisë së re dhe zgjedhjes së presidentes, në këtë rast Osmanit.
Kjo kërkesë siç kishte thënë Pacolli kishte ardhur nga kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Osmani.
Osmani lidhur me këto deklarime ka thënë se tash është kohë zgjedhjesh.
“Është kohë zgjedhjesh, mund të dëgjoni lloj-lloj deklaratash kështu që iu kisha lutur për çka do që keni pyetje t’i drejtori në Presidencë”, u tha ajo gazetarëve.
Ndryshe se ka pasur komunikime të tilla i kanë mohuar edhe nga partia në pushtet, por Pacolli ka vazhduar insistimin e tij duke thënë se dikush nga Qeveria s’po e tregon të vërtetën.
Pacolli ka thënë se për atë që ka deklaruar ka dëshmi.
“Prapë po ju them, mos insistoni ma tutje, dikush në emër të qeverisë po e shtrembëron të vërtetën, (nuk desha të them që po gënjen). Për këtë çka kam thënë ka dëshmi dhe njerëz të tjerë. Mos harroni se po tregoheni shumë të ligë dhe jo mirënjohës”, kishte deklaruar ai.