Tërnava uron myslimanët për festën e Kurban Bajramit

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, me rastin e festës së Kurban Bajramit ka dhënë mesazh urimi, teksa nuk ka lënë pa uruar edhe për Ditën e Çlirimit të vendit, raporton eo.

“Në emër të Bashkësisë Islame, institucioneve të saj dhe në emër timin ju uroj këtë festë, e cila karakterizohet me kryerjen e haxhit dhe sakrificës së Kurbanit. Ju uroj edhe Ditën e Çlirimit të vendit tonë, për të cilën ditë u sakrifikuan breza të shumtë që Kosova ta fitojë pavarësinë e saj”, uroi Tërnava.

Ai tha se festat e myslimanëve duhet të shfrytëzohen për të sjellë gëzim dhe lumturi te personat që kanë nevojë.

“Nesër është dita e Kurban Bajramit, ditë feste për besimtarët myslimanë në të gjithë botën. Edhe ne në Kosovën tonë i gëzohemi kësaj feste kaq madhështore, e cila shfaqet në shoqërinë e në familjet tona me gëzime e hare, e me një gjuhë falënderuese, duke u përhapur në mesin e të gjithë besimtarëve. Sot, në ditën më të vlefshme të vitit, në këtë ditë të bekuar të Arafatit, më lejoni që në emër të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, në emër të institucioneve të saj dhe në emrin tim si Myfti i Republikës, t’ju uroj për këtë festë, e cila karakterizohet me kryerjen e haxhit dhe sakrificës së kurbanit, për t’iu afruar kështu edhe më afër mëshirës së pafund të Zotit xh.sh., njëherit, të dashur qytetarë, ju uroj edhe Ditën e Çlirimit të vendit tonë për të cilën ditë u sakrifikuan breza të shumtë që Kosova të fitojë pavarësinë e saj”, ka thënë ai.

Tërnava ka bërë lutje për paqe në krejt botën, me theks të veçantë në Palestinë e Ukrainë.

Festat tona fetare duhet të shfrytëzohen për të sjellë lumturi dhe gëzim në zemrat e atyre që kanë nevojë, duke trajtuar të sëmurët e vizituar të afërmit, duke shkëmbyer urime me miqtë dhe duke i mbjellë këto vlera në mendjet dhe zemrat e fëmijëve dhe të rinjve tanë. Vetëm kështu forcojmë edhe më shumë trungun tonë familjar, e ushqejmë atë me vlerat fetare dhe kombëtare, dhe e ruajmë atë me një pastërti fisnike, ashtu siç e kemi amanet nga të parët tanë. Andaj, me këtë rast, lus Zotin e Madhëruar që të na mbulojë me paqen, bekimin dhe mëshirën e kësaj dite të bekuar! T’i falë vendit tonë dhe mbarë botës mirësi, begati, siguri dhe stabilitet, e në veçanti të lutemi o Zot që paqja të rikthehet edhe në Palestinë dhe Ukrainë. Ne si qytetarë të këtij vendi, duhet të punojmë në promovimin e paqes, përhapjen e vëllazërisë dhe tolerancës, larg konflikteve dhe luftërave, gjithherë të gatshëm për t’i konsoliduar vlerat e vëllazërisë dhe bashkëjetesës njerëzore. Le të mbetet kjo festë simbol i sakrificës, shërbimit dhe bindjes ndaj Zotit të Plotfuqishëm, me thirrjen për qytetarët që të frymëzohen nga kuptimet e unitetit, dashurisë dhe paqes, e larg urrejtjes e përçarjeve”, u shpreh ai.