Tërnava uron Fitër Bajramin: Kjo festë sjell gëzim dhe hare në familjet tona

Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e festës së Fitër Bajramit, duke e cilësuar këtë ditë si një moment të veçantë të reflektimit shpirtëror, mirësisë dhe harmonisë mes njerëzve.

Në mesazhin e tij, ai theksoi rëndësinë e kësaj feste në ruajtjen e vlerave të solidaritetit dhe dashurisë familjare.

“Vetëm edhe pak orë na ndajnë nga festimi i Fitër Bajramit, andaj kam kënaqësinë që sot, në emër të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, institucioneve të saj dhe në emrin tim personal t’ju drejtohem me përgëzimet dhe urimet më të mira, me bindje dhe shpresë që Bajramin ta ndiejmë, ta presim e ta përjetojmë shpirtërisht me gëzime e përkushtim në ambientet tona të ngrohta familjare dhe shoqërore”, tha ai.

Myftiu Tërnava nënvizoi se Fitër Bajrami është një ditë e veçantë për të gjithë besimtarët, pasi shënon përfundimin e një muaji përkushtimi dhe sakrifice për hir të Zotit. 

“Besimtarët myslimanë hyjnë në atmosferën e festës së Fitër Bajramit, të gëzuar me plot të drejtë se kanë kryer një ndër urdhrat e Zotit të Madhëruar, agjërimin e muajit Ramazan, ibadet ky që bëhet vetëm për Zotin e Gjithësisë”, shtoi ai.

Ai theksoi se namazi i Bajramit shënon kulmin e festës, duke mbledhur besimtarët në një moment të bashkimit shpirtëror. 

“Ceremonia e Fitër Bajramit është moment që bashkon besimtarët në faljen e namazit të Bajramit, që shënon njëkohësisht momentin më të rëndësishëm të kësaj feste, për të vijuar më pas me urimet dhe përgëzimet më të mira e më të sinqerta”, tha ai.

Në mesazhin e tij, ai theksoi edhe rëndësinë që ka kjo festë për ruajtjen e lidhjeve familjare dhe shoqërore. 

“Fitër Bajrami sjell gëzim e hare në familjet tona, ngase është moment që e bashkon atë, ripërtërin lidhjet familjare dhe shoqërore, kultivon paqen, mirëkuptimin, solidaritetin, dashurinë e respektin për tjetrin”, theksoi Tërnava.

Në fund të urimit, myftiu Tërnava e cilësoi këtë festë si një moment të falënderimit ndaj Zotit për të gjitha të mirat dhe i ftoi besimtarët që ta kalojnë atë me harmoni dhe paqe. 

“Urime festa e Fitër Bajramit për të gjithë besimtarët tanë, kudo që ata gjenden”, përfundoi ai.