Tërnava uron Bajramin: Namazi falet, por s’ka ceremoni nëpër xhamia

Myftiu Naim Tërnava ka uruar Fitër Bajramin dhe ka kërkuar nga besimtarët që edhe këtë herë të festojnë duke respektuar masat kundër pandemisë.

Ai ka thënë se nesër do të falet namazi i Bajramit, por ceremonia do të anulohet, njofton Klan Kosova.

“Ne nesër kemi festë dhe bashkërisht do të jemi në xhamitë tona për të falur namazin e Fitër Bajramit, por të kemi kujdes se virusi ende është në mesin tonë. Prandaj, për të ruajtur shëndetin publik ne kemi hequr dorë nga ana ceremoniale e manifestimit tradicional të Bajramit. Në xhami do të jemi duke respektuar protokollet anti-COVID dhe për të falur vetëm namazin e Fitër Bajramit”.

Tërnava ka bërë thirrje për kujdes edhe gjatë vizitave familjare duke kërkuar që të ruhet karakteri i festës, por pa shkelur rregullat.

Myftiu tha se Ramazani bëri bashkë njerëzit mes vete dhe i bëri më fisnikë.

“Sonte është natë e madhe, nata e Fitër Bajramit, me iftarin e së cilës besimtarët përfundojnë Ramazanin dhe bëhen gati për të festuar. Agjërimi është ibadet që kryhet me norma të caktuara që besimtarët e kryejnë vetëm për krijuesin e tyre. Ramazani në vete ka bartur momente dhe ibadete të veçantë duke na fisnikëruar. Ishim më shumë pranë më të dashurve tonë”.

“Festa e Fitër Bajramit edhe te ne, si në tërë botën myslimane, është ndër festat më të dashura, më familjare e më popullore, e shtresuar thellë në identitetin e kulturën e popullit tonë. Kjo festë, si asnjë tjetër, sjell gëzim dhe qetësi shpirtërore. Është festë që afron prindërit me fëmijët, të rinjtë me të moshuarit, të pasurit me të varfrit. Edhe në këtë Bajram po e presim duke u përballë më pandemi. Në këtë natë të madhe kujtojmë me rahmet të gjithë ata që kaluan në ahiret nga virusi dhe u urojmë shërim të sëmurëve”.