Kryeshefi ekzekutiv i Ngrohtores “Termokos” Arsim Fetahu në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se edhe përkundër sfidave dhe vështirësive që ka shkaktuar pandemia kompania ka vazhduar pa ndërprerje furnizimin e shërbimeve me ngrohje për konsumatorë.
Madje, ai tha se konsumatorët janë të kënaqur sa i përket shërbimeve së ofruar nga kompania “Termokos”.
“Pandemia Covid-19 ka shkaktuar telashe në mbarë globin tokësor, mirëpo sa i përket kompanisë tonë këto pasoja kanë qenë shumë të vogla. Për fat të mirë menaxhimi i pandemisë nga ana e stafit tonë dhe neve si menaxhment ka qenë në nivel shumë të mirë dhe si rezultat i kësaj ne kemi vazhduar furnizimin e shërbimeve me ngrohje pa ndërprerje për të gjithë konsumatorët tonë dhe mund të themi që pjesa dërrmuese e konsumatorëve tanë janë shumë të kënaqur me shërbimet e ngrohjes të cilat jemi duke i ofruar”.
Por sipas tij, Coronavirusi ka pasur efekt negativ në pjesën e inkasimit të faturave të ngrohjes.
“Është e vërtetë që pandemia Covid-19 ka pasur një efekt negativ në pjesën e inkasimit të faturave të ngrohjes. Mirëpo ajo nuk e ka rrezikuar stabilitetin financiar te kompanisë, mirëpo shpresojmë që deri në fund të vitit të arrihet të gjitha objektivat që kanë qenë të parapara me planifikimin buxhetor”.
Fetahu theksoi se borxhet ndaj kompanisë “Termokos” janë mbi 16 milionë euro. Tutje, ai tha se kanë dërguar 500 konsumatorë të përmbaruesi për moskryerjen të pagesave.
“Borxhet ndaj kompanisë ‘Termokos’ janë mbi 16 milionë euro, pjesa më e madhe e të cilave daton nga periudha para projektit të rigjenerimit dhe shpresojmë që në të ardhmen të bëhet një zgjidhje e cila do të jetë e kënaqshme edhe për ne edhe për qytetarët sa i përket borxheve”.
“Momentalisht i kemi dërguar 500 konsumatorë te përmbaruesi për mos kryerjen e shërbimeve të ngrohjes dhe ky numër do të rritet deri në fund të vitit”.
Fetahu foli edhe sa i përket projekteve që janë realizuar me sukses në vlerë prej 8.5 milionë euro.
Sipas tij, projektet për ngrohje do të vazhdojnë edhe në vitin 2021, duke siguruar fondin prej 140 deri 280 megavat.
Mes tjerash, Fetahu potencoi se në dy vjetët e ardhshme pritet të bëhen investime mbi 10 milionë euro në aspektin e rehabilitimit dhe zgjerim të rrjetit.
“Këtë vit është realizuar me sukses projekti i financuar nga komisioni evropian në vlerë prej 8.5 milionë eurosh me që rast janë 100 nënstacione të vjetra të cilat janë bërë të reja dhe kemi pasur zgjerim të rrjetit me 50 nënstacione të reja, ku mbi 15% e sipërfaqes aktuale është e kyçur në ‘Termokos’. Gjithë këto punime janë kryer mirë pavarësisht që këtë vit jemi ballafaquar me pandeminë dhe gjithë këta konsumator që për herë të parë janë kyçur në ngrohje janë shumë të kënaqur me shërbimet tona”.
“Projektet tona po vazhdojnë dhe kemi siguruar fondin nga rigjenerimi nga 140 në 280 megavat që pritet të fillojë konsulenca vitin e ardhshëm dhe me këtë do të realizohet një rritje e madhe e kapacitete prodhuese. Dy vitet e ardhshme pritet investimi mbi 10 milionë euro për rrjetin e qytetit ku pritet edhe të ketë rehabilitim dhe zgjerim mbi 10% te sipërfaqes që janë kyçur”.
“Gjithashtu edhe projekti i matësve të energjisë është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit dhe do të fillojë realizimi vitin e ardhshëm ku vlera e projektit është 10 milion dollarë kurse edhe projekti për energji solare pritet që brenda këtij viti ta merr formën finale të vazhdimit të tij sepse momentalisht kemi problem mungesën e parcelave për të cilën pritet të bëhet zgjidhje”.
Sipas Fetahut në katër vjetët e ardhshme është paraparë dyfishimi i kapaciteteve që do të mbulojë pjesën më të madhe të Prishtinës, raporton EO.
“Për dy vitet e ardhshme është paraparë pjesa e Matit 1, rruga Muharrem Fejza të kyçen mbi 50 objekte banesore dhe në pjesë të tjera edhe lagja Ulpiana do të kyçet në rrjetin e ngrohjes. Kurse sa i përket projektit me energji solare është paraparë për një pjesë të lagjes Arbëria dhe Tophane. Me dyfishim të kapaciteteve që pritet të realizohet deri në 4 vitet e ardhshme është paraparë dyfishimi i kapaciteteve kurse ne atë projekt do të bëhet një master plan i ri i cili do të mbulojë një pjesë të madhe të Prishtinës”.