Banorët e lagjes “Mati 1” në rrugën “Muharrem Fejza” në Prishtinë i pret një dimër i ngrohtë këtë vit.
Kjo pasi, ngrohtorja e qytetit të Prishtinës “Termokos” do të nis gradualisht ta furnizojë me ngrohje këtë pjesë të qytetit e cila nuk ka qenë më parë e lidhur me këtë ngrohtore.
Zëdhënësja e Termokos-it, Afërdita Uka- Fejzullahu tha për Shqip.com se 141 objekte banesore do të kyqen me sistemin e ngrohjes.
“Fillimi i furnizimit me ngrohje për këtë lagje do të fillojë gradualisht në këtë sezon ngrohës dhe deri në përfundim të sezonit ngrohës 2022/2023 do të furnizohen me ngrohje të gjitha objektet banesore të kësaj lagjeje.
Rrjeti i ngrohjes në lagjen “Mati 1”, përkatësisht në rrugën “Muharrem Fejza” dhe rrugicat përreth, tashmë është shtrirë në këtë pjesë të qytetit. Aktualisht, është duke u punuar për vendosjen e nënstacioneve të ngrohjes tek këto 141 objekte banesore, të kësaj lagjeje, që do të kyçen në rrjetin e ngrohjes”, tha ajo.
Ky lajm i mirë nuk mbaron me kaq, nga viti i ardhshëm me ngrohtoren e qytetit do të ngrohen edhe banorët e lagjes në afëri të Parkut të qytetit dhe një pjese të lagjes “Arbëria”.
“Në kuadër të Projektit për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes, që është në proces të realizimit në saje të mjeteve të ndara nga Qeveria gjermane nëpërmes KFW-së, në rrjetin e ngrohjes vitin e ardhshëm planifikohet të kyçen edhe disa objekte banesore në afërsi të Parkut të qytetit dhe një pjesë e objekteve banesore të lagjes “Arbëria”, u shpreh Uka-Fejzullahu.
Projekti me Bankën Gjermane për Zhvillim (KFW) për zgjerimin e ngrohjes ka filluar në vitin 2021 ku janë ndarë 10 milionë euro.
Për zgjerimin e rrjetit, “Termokos” ka implementuar edhe projektin në kuadër të fondeve të Komisionit Evropian në vlerë prej 6 milionë euro.
Nga ky projekt janë kyçur 48 objekte banesore, institucionale dhe afariste me 2.271 konsumatorë me rreth 250.000 m/2.
Realizimi i këtij projekti ka përfunduar në prill të 2021-tës.
Ngrohtorja e qytetit “Termokos” ka shtrirje në disa lagje të qytetit si: “Ulpiana”, “Dardania”, “Kalabria”, “Qendra”, një pjesë e lagjes “Aktash”. /Shqip.com