Kosova është goditur nga një tërmet me magnitudë 2.0 sipas shkallës Rihter sot në mëngjes, me epiqendër në fshatin Kozaricë të Obiliqit.
Shemsi Mustafa nga Instituti Sizmologjik i Kosovës për Telegrafin ka bërë të ditur se tërmeti ka ndodhur rreth orës 07:33.
“Bazuar në Rrjetin Sizmik, Shërbimi Gjeologjik i Kosovës dhe Qendrës Sizmike Euro-Mediterane, si dhe në analizën numerike të Rrjetit Sizmologjik të Kosovës, më 15/08 /2024 n’ora 07:33 sipas kohës lokale, Kosova është goditur nga një tërmet me magnitudë 2.0 sipas shkallës Rihter, përkatësisht me intensitet III ballë të Merkalit. Thellësia hipoqendrore ishte 3 km.
Epiqendra e këtij tërmeti ishte në fshatin Kozaricë, Obiliq, 11 km në veri-perëndim të Prishtinës”, tha ai.
Mustafa tregoi se tërmeti në fjalë është ndier dukshëm nga qytetarët e fshatit dhe përreth tij.